Ekskluzive/ Kallëzuesit 'Nesti dhe Nasta' të Veliaj, Meta: Rama ka ruajtur 'barazinë gjinore' edhe në procesin e kallëzimit të 'shokëve'
Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, në një intervistë ekskluzive për Syri.net komenton zhvillimet më të fundit politike dhe juridike në vend, duke u ndalur veçanërisht te thirrja e kryeministrit Rama si dëshmitar në procesin ndaj liderit të opozitës Sali Berisha.
Meta ngre akuza për njëanshmëri të institucioneve të drejtësisë dhe ndërhyrje politike në hetime, ndërsa e konsideron këtë proces si pjesë të një skenari më të gjerë politik.
Ai gjithashtu ndalet te çështja e inceneratorëve dhe përgjegjësitë që duhet të mbajnë figurat kryesore të qeverisë, duke theksuar nevojën për hetime të pavarura dhe të paanshme.
INTERVISTA E PLOTË (Pjesa e parë)
Pyetje: Si e konsideroni thirrjen e Z. Rama si dëshmitar nga GJKKO në procesin kundër Z. Berisha?
E konsideroj si të pashmangshme për një gjykim të plotë të çështjes, pasi janë aktet e tij si Kryetar i Bashkisë në atë kohë, që kanë ndryshuar destinacionin e klubit për qëllime ndërtimi.
Kjo dëshmon se sa i njëanshëm ka qenë SPAK-u në hetimin e tij ndaj Z. Berisha, i cili është dirigjuar edhe publikisht nga Z. Rama nga tribuna e Asamblesë së Partisë Socialiste.
Po kështu, është provuar edhe nga Gjykata se Rama, si Kryetar Bashkie, me veprimet dhe mosveprimet e tij ka shkaktuar dëm të konsiderueshëm publik për të cilin duhej të merrej përgjegjës për 300 mijë euro, nëse nuk gaboj.
Por nga kush? Nga ata që kanë tmerr t’i përmendin edhe emrin shefit të tyre.
Pyetje: A mund të pretendohet se është një hap para i drejtësisë ky vendim?
Absolutisht që jo. Nëse edhe kjo nuk do të kishte ndodhur, procesi gjyqësor do të ishte bërë edhe më absurd, pasi aty do të provoheshin në çdo rast aktet administrative të
Ramës nga avokatët e Z. Berisha dhe të pandehurit që nuk janë fare subjekte të posaçëm, si Z. Malltezi apo Z. Begeja, por janë vetëm viktima të një loje politike dhe shërbimit politik të prokurorëve të përzgjedhur të Ramës.
Rama prej kohësh duhej të ishte i dënuar nga Gjykata me vendim të formës së prerë, qoftë edhe vetëm për firmën e tij, të zezë në të bardhë, për t’i dhënë bonusin 8% kompanisë së inceneratorëve, që nuk kishte lindur akoma.
Kjo është një shkelje flagrante e ligjit e provuar zyrtarisht, e pakontestueshme, e protokolluar dhe që nuk ka nevojë as për dëshmitarë. Po kush ka këllqe për ta bërë?
Edhe Erion Veliaj duhej të hetohej dhe gjykohej për firmën që ka hedhur në emër të Këshillit Bashkiak, për t’i hapur rrugën inceneratorit që nuk ekziston, por që edhe pse Veliaj është i paraburgosur, inceneratori vazhdon të gllabërojë 90 mijë euro në ditë për një shërbim që nuk ofrohet. Përse?
Sepse në krye të aferës së inceneratorëve dhe përfituesi direkt dhe kryesor i saj është Edi Rama dhe jo Erion Veliaj.
Po kështu, dihet se e ka dëshmuar edhe Z. Ahmetaj publikisht se këtë firmë Veliaj e ka hedhur nën presionin e Ramës.
Ndaj procesi kundër Veliaj është bazuar mbi kallëzuesit fantazma si Nesti dhe Nasta. Se Rama do të ruajë “barazinë gjinore” edhe në procesin e kallëzimit të “shokëve”. Ndaj nuk ka vetëm Nesti, por ka edhe Nasta.
E nënvizoj domosdoshmërinë e hetimit të këtyre dy akteve zyrtare në shkelje flagrante ndaj ligjit, për të treguar pafuqinë e prokurorëve për të hetuar paligjshmërinë nga nënshtrimi ndaj Ramës.
Sepse janë dy prova zyrtare që ulërasin për shkeljen e ligjit dhe hetimi do të ishte fare i thjeshtë dhe i shpejtë nëse do kishte fare pak pavarësi, se te këto dy prova nuk ka nevojë fare as për profesionalizëm dhe as për dëshmitarë.