Spiropali nis lëvizjen në PS pasi u shantazhua nga Balluku, takohet me strukturat

Deputetja e PS, Elisa Spiropali, e ka nisur këtë të shtunë ditën me takimin në zonën e Liqenit të Thatë, me strukturat socialiste.

Në një postim në rrjetet sociale, Spiropali shkruan: Kudo dhe kurdo me socialistët, për Shqipërinë siç i ka hije.

Ish-kryetarja e Kuvendit dhe ish-ministrja e Jashtme bëri dje një radiografi për humnerën ku po rrokulliset partia-shtet.

“Një parti e gjallë, po zëvendësohet nga një strukturë fosile ku gjithçka filtrohet përmes emërimeve okulte. “Drejtorokracia” është kthyer në mënyrë funksionimi. Ka zëvendësuar politikën me administrim besnikërie”, shkruante ajo.

Nisur nga këto indicie Lapsi.al u interesua për të kuptuar më shumë. Dhe arriti të mësojë se pas këtyre frazave plot nënkuptime fshihen ngjarje të vërteta. Një burim nga Drejtoria e Tatimeve i tha Lapsit se një grup prej tyre kanë marrë urdhër të ushtrojnë kontrolle të rrepta në bizneset e bashkëshortit të Spiropalit dhe disa familjarëve të saj.

“Në krye të nismës ishte një kolegu ynë i emëruar nga Belinda Balluku dhe që vijon t’i bindet asaj. Ne nuk na u tha se ku do shkonim, vetëm kur mbërritëm tek biznesi, e morëm vesh se kjo kishte lidhje me Elisën. Unë dhe një koleg tjetër u ndjemë shumë keq, nuk donim të vijonim atë raprezialje… por urdhri është urdhër”, tha ai në kushtet e anonimatit.