'Narko-policia e Ramës', Logu denoncon: Protestuesi i plagosur mbahet nga policia, nuk lejojnë shoqërimin në spital

Avokati Marash Logu ka denoncuar ashpër dhunën e ushtruar ndaj një protestuesi të opozitës, Henry Shapllo, 30 vjeç, i cili ndodhet në gjendje të rënduar shëndetësore pas dëmtimeve të marra gjatë protestës dhe shoqërimit në komisariat.

Logu shprehet se, pavarësisht pranisë së ambulancës dhe vlerësimit të mjekëve se pacienti ka nevojë urgjente për transport në spital dhe trajtim të specializuar, policia po e pengon dërgimin e tij për ndihmë mjekësore.

Ai thekson se ambulanca vijon të qëndrojë në vend prej kohësh, ndërsa ndërhyrja për transferimin e protestuesit në spital po vonohet pa arsye të qarta, duke e konsideruar këtë situatë të papranueshme dhe shqetësuese.

Fjala e tij:

Siç mund ta shikoni, Fatjon, këtu ndodhet ambulanca prej disa kohësh tashmë. Kemi një protestues, Henry Shapllo, i moshës 30 vjeç, që është në gjendje të rëndë shëndetësore, pra ka pasur disa dëmtime gjatë protestës dhe gjatë shoqërimit të tij në komisariat. I është dhënë një qetësues; ambulanca dhe mjekët presin për ta marrë dhe për ta çuar në spital, sepse ka nevojë për trajtim mjekësor të specializuar.

Megjithatë, “narko-policia e Edi Ramës”, siç duket, ka marrë urdhër që, para se gjendja e protestuesve të përkeqësohet në mënyrë të rëndë, të mos i shoqërojë në spital ata që kanë nevojë për trajtim. Është një sjellje tërësisht e papranueshme. Ne kemi komunikuar këtu me mjekët dhe ata thonë se ai ka nevojë të shkojë menjëherë në spital për të marrë trajtim mjekësor të specializuar.

Dhe ja, po e shikoni ambulancën, e cila vazhdon të presë në mënyrë krejtësisht të pajustifikuar dhe pa asnjë arsye, ndërsa ai nuk dërgohet për të marrë ndihmën mjekësore që i nevojitet.