'Brutalitet shtazarak'/ Berisha nga QSUT: Për të verbuar protestuesit paqësorë, hodhën helme që përdoren kundër arinjve

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka vizituar mbrëmjen e sotme Urgjencën e QSUT, ku po marrin trajtim disa deputetë dhe drejtues të PD-së të lënduar gjatë protestës kombëtare të opozitës.

Pas vizitës, Berisha doli në një prononcim për mediat, ku akuzoi strukturat e policisë për dhunë të tepruar ndaj protestuesve. Ai e cilësoi ndërhyrjen si “brutale” dhe “të përmasave shtazarake”, duke u shprehur se ndaj qytetarëve janë përdorur mjete të ndaluara dhe substanca të rrezikshme.

'Për verbimin e protestuesve janë përdorur helmet që përdoren kundër arive, janë helme që janë përdorur dhe përdoren kundër arinjve për t'i verbuar aritë. '- u shpreh ai.

Berisha deklaroi se disa prej të lënduarve, mes tyre Luciano Boçi, Klevis Balliu, Flamur Noka dhe Ivi Kaso, kanë marrë dëmtime nga përdorimi i gazrave dhe mjeteve shpërthyese zhurmuese. Sipas tij, edhe disa protestues dhe aktivistë të tjerë janë plagosur dhe ndodhen në spital.

Kreu i PD, akuzoi drejtpërdrejt kryeministrin Edi Rama dhe drejtues të policisë për përgjegjësi në atë që e quajti “terror ndaj protestuesve paqësorë”. Berisha paralajmëroi se, autorët do të mbajnë përgjegjësi ligjore për ngjarjet.

DEKLARATA E BERISHËS:

Brutaliteti, egërsia, e përmasave shtazarake, e mercenarëve të Edi Ramës, Skënder Balluku, Sokol Besprerit, njeriu që la kolegun në makinë dhe e dogjën të gjallë banditët terroristët në Qafë Muzinë. Enton Allushi, mercenar i karteleve të drogës, dhe Dashi i Operacionales, janë sjellë në mënyrën më shtazore ndaj protestuesve.
Janë përdorur helme dhe substanca që përbëjnë krime në konventa.

Për verbimin e protestuesve janë përdorur helmet që përdoren kundër arinjve, janë helme që janë përdorur dhe përdoren kundër arinjve për t'i verbuar aritë. Dhe është kjo një akt i paprecedentë.

Kanë përdorur sasi të mëdha ndaj Luçiano Boçit, ndaj Klevis Balliut, Ivi Kasos, kanë përdorur dhe ndaj Flamur Nokës, kanë përdorur dhe ndaj Bledi Himçit dhe një seri protestuesish, protestuesish demokratë, të cilët janë të shtruar këtu, Preng Lala e Zamir Muzhaqi.

 Kurse ndaj gazetarit, veprimtarit të shquar të shoqërisë civile dhe anëtarit të Këshillit Kombëtar, Aulon Kalaja, kanë përdorur përveç verbuesit të arive, kanë goditur me shkop mbrapa në pjesën oksipitale, një pjesë jashtëzakonisht delikate për jetën e njëriut.

Janë përdorur bomba, janë hedhur protestuesve te këmbët bomba, granata zhurmuese me copa të të cilëve janë plagosur, kanë marrë plagë të shumta në këmbë, dhe dhe kanë hedhur shishe molotov mbi protestuesit, të dokumentuara të gjitha këto.

Dënoj këtë terror të pashembullt ndaj protestuesve paqësorë dhe e garantoj Edi Ramën dhe Lubi Ballukun, garantoj mercenarët e Edi Ramës, Skënder Ballukun, Sokol Bebrerin, Allushin e drogës dhe të krimit bashkë me atë Dashin e Operacionales, se do përgjigjen gjër më një për këto akte antiligjore, për këto krime të shëmtuara ndaj protestuesve paqësorë dhe se me asgjë nuk do mund të mposhtin kryengritjen paqësore të opozitës shqiptare kundër Edi Ramës, Lubi Ballukut dhe organizatës së tyre kriminale. Faleminderit.
Mirupafshim, natën e mirë.