VIDEO/ Berisha: Do zgjedhim frikën, apo do zgjedhim lirinë? Shqipëria shpëtohet kur populli vendos të vrasë frikën

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u bëri thirrje shqiptarëve që të vrasin frikën dhe të shëptojnë Shqipërinë. Ai u bëri atyre që të bashkohet në "kryengritje paqësore".

Në fjalën e tij, Berisha i’u drejtua qytetarëve që e shohin integrimin europian si prioritet, duke u shprehur se, ky objektiv është i pamundur nën qeverisjen aktuale. "Me Edi Ramën, që përdor ligjin për të mbrojtur vjedhjet e tij dhe korrupsionin, integrim nuk ka dhe nuk mund të ketë", deklaroi ai, duke bërë thirrje që edhe euroentuziastët të bashkohen me opozitën.

Berisha iu drejtua qytetarëve duke i pyetur nëse "do zgjedhim frikën, apo do zgjedhim lirinë? Do zgjedhim heshtjen, apo do ngremë zërin tonë? Do zgjedhim kapitullimin, apo kryengritjen paqësore dhe triumfin?"

"Le ta kthejmë shpresën në forcë, forcën në fitore, nuk dorëzohemi kurrë!", theksoi lideri i opozitës Sali Berisha gjatë fjalës së tij.

Pjesë nga fjala e kreut të PD, Sali Berisha:

Nga kjo tribunë, do i drejtohem sot të gjithë qytetarëve të këtij vendit, se nëse doni uljen e çmimit të naftës, që sot është më i larti në Europë, për shkak të taksës së Edi Ramës, është koha për t'u bashkuar në kryengritjen tonë paqësore. Heqja e taksës Rama mbi naftën, shitja e naftës në Shqipëri me çmimin që shitet në vendet përreth, është zotimi solemn i Partisë Demokratike.

Nëse doni dyfishimin e rrogave dhe pensioneve, shërbime dinjitoze, arsim, shtetësi, të dashur qytetarë dhe qytetare, bashkohuni me ne në kryengritjen tonë paqësore.

Ju drejtohem sot të gjithë të rinjve dhe të rejave, gjimnazistëve, studentëve të këtij vendi. Nëse doni të ndërtoni në Shqipëri ëndrrën tuaj të bukur, bashkohuni me ne në kryengritjen tonë paqësore, për shkollim, punësim, strehim të garantuar në dheun tuaj të dashur. Për të gjithë qytetarët e këtij vendi, që duan zgjedhje të lira, si si ato që u zhvilluan në vitin 2013 dhe sollën rotacionin, apo zgjedhje të cilat zhvillohen në Kosovë dhe vendet përreth, atëherë është koha për t'u bashkuar në kryengritjen tonë paqësore.

Ju drejtohem të gjithë shqiptarëve që konsiderojnë integrimin në Bashkimin Europian si të ardhmen më të mirë për vete, familjen dhe vendin e tyre. Nëse doni që Shqipëria të vazhdojë rrugëtimin e saj drejt Bashkimit Europian, si vend i qytetarëve të lirë dhe të barabartë para ligjit dhe shtetit ligjor, bashkohuni me ne në kryengritjen tonë paqësore. Me Edi Ramën, që përdor ligjin për të mbrojtur vjedhjet e tij dhe korrupsionin, integrim nuk ka dhe nuk mund të ketë.

Të dashur miq, në betejat e saj të viteve të fundit, Partia Demokratike u siguroi shqiptarëve opozitë të vërtetë. Me betejat e saj të viteve të fundit, ne u treguam miqve tanë të vërtetë, të vërtetën për Shqipërinë. Tani, në kilometrin e fundit, një aleancë e gjerë e opozitës dhe qytetarëve shqiptarë, do bëjë të mundur rrëzimin përfundimtar të narkoshtetit të Edi Ramës, sepse shqiptarët nuk do lejojnë varfërimin dhe mjerimin, vjedhjen dhe dhe plaçkitjen e tyre të vazhdueshme, se sepse shqiptarët nuk do të lejojnë më bllokimin e drejtësisë, nuk do lejojnë pengesa në rrugën e integrimit të tyre europian, në mënyrë që Edi Rama të mbrojë miliardat që ka vjedhur dhe vazhdon të vjedhë.

Të dashur miq!

Sot ka vetëm një formulë për të rrëzuar Edi Ramën. Për çdo shqiptar duhet të jetë e qartë, se kjo formulë është kryengritja paqësore e qëndrueshme gjerë në qeveri teknike dhe zgjedhje të lira. Dhe sot, përpara historisë, përpara fëmijëve tanë, përpara ndërgjegjes sonë, secili prej nesh duhet të bëjë zgjidhjen e tij.

Do zgjedhim frikën, apo do zgjedhim lirinë?

Do zgjedhim heshtjen, apo do ngremë zërin tonë? Do zgjedhim kapitullimin, apo kryengritjen paqësore dhe triumfin? Shqipëria nuk shpëtohet nga një njeri i vetëm, as dhe nga një forcë e vetme politike. Nuk shpëtohet as dhe nga miqtë tanë ndërkombëtarë.

Shqipërinë e shpëton vetëm bashkimi i të gjitha partive politike opozitare, shoqërisë civile, intelektualëve dhe të gjithë faktorëve që besojnë se vota e lirë është vendimtare për të ardhmen e shqiptarëve dhe Shqipërisë.

Shqipëria shpëton kur një popull i tërë vendos të vrasë frikën dhe të mos pranojë padrejtësinë. Dhe ajo ditë ka ardhur! Ajo ditë është sot! Le ta kthejmë ne, le ta kthejmë ne shpresën në forcë, forcën në fitore, sepse ne nuk jemi thjesht opozita, ne jemi shpresa e vetme e Shqipërisë dhe nuk dorëzohemi kurrë!

Rrofshi ju! Rroftë Partia Demokratike!

Rroftë Shqipëria! Fitore! Fitore! Fitore!