Hoeness krahason Kompany me Tuchel: Ai i bën lojtarët më të mirë

Ish-presidenti i Bayern Munich, Uli Hoeness, ka folur së fundmi për trajnerin aktual të bavarezëve, Vincent Kompany, duke e krahasuar me paraardhësin e tij, Thomas Tuchel, dhe duke theksuar dallimet mes tyre.

Hoeness, i cili u tërhoq nga posti i presidentit në vitin 2019, por vazhdon të jetë pjesë e bordit të klubit, u ndal te puna e Kompany që nga ardhja e tij në vitin 2024 nga Burnley. Sipas tij, trajneri belg ka sjellë një frymë të re në skuadër.

Duke folur në podcastin “Auf eine weiß-blaue Tasse”, Hoeness kritikoi disa qasje të Tuchel-it gjatë kohës së tij në Bayerni: “Një herë e pyeti Stanisic-in nëse dinte gjermanisht, edhe pse ai kishte lindur këtu. Ndërsa për Gravenberch tha se nuk mund ta përdorte fare.”

Në kontrast, ai vlerësoi punën e Kompany-t: “Ky trajner e bën çdo lojtar më të mirë. Nuk e kam parë asnjëherë në konferencë për shtyp të thotë se i duhet një mbrojtës i majtë apo i djathtë.”

Sipas Hoeness, kjo qasje tregon besimin që Kompany ka te grupi dhe aftësinë për të zhvilluar lojtarët që ka në dispozicion.

Megjithatë, deklaratat e Hoeness shpesh kanë shkaktuar debat në media, për shkak të tonit të drejtpërdrejtë dhe komenteve të forta, siç kanë qenë edhe ato mbi rregullin “50+1” në futbollin gjerman.