Kalon Ngushticën e Hormuzit anija e parë turistike, Guterres përshëndet Iranin: Një hap në drejtimin e duhur

Një anije turistike, e para që nga fillimi i luftës në Iran, ka kaluar përmes Ngushticës së Hormuzit. Lajmi është bërë i ditur nga faqja e monitorimit të anijeve Marine Traffic.

Celestyal Discovery, që mban flamurin maltez, u nis nga Dubai më 17 prill, ku kishte mbërritur në fillim të marsit dhe kishte qëndruar në ankorim për rreth 47 ditë.

Sipas të dhënave të Marine Traffic, anija ka kaluar Ngushticën e Hormuzit sot në orën 15:30 (me orën shqiptare) dhe po drejtohet drejt Muskatit, në Oman, ku pritet të mbërrijë nesër.

Anija, e cila mund të transportojë mbi 1.200 persona dhe rreth 400 anëtarë ekuipazhi, raportohet se po udhëton pa pasagjerë.

Ndërkohë sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, përshëndeti njoftimin e Iranit për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit për të gjitha anijet tregtare gjatë pjesës së mbetur të armëpushimit, duke e cilësuar atë “një hap në drejtimin e duhur”.

Në një deklaratë, zëdhënësi Stephane Dujarric thekson se Guterres “vazhdon të mbështesë plotësisht përpjekjet diplomatike për të gjetur një rrugë paqësore për daljen nga konflikti” dhe shpreson që kjo masë, së bashku me armëpushimin, të ndihmojë në ndërtimin e besimit mes palëve dhe në forcimin e dialogut në vijim, të ndërmjetësuar nga Pakistani.