Bozdo: Protesta vetëm një hap, aksioni opozitar nuk ndalet deri në largimin e Ramës

Vetëm pak minuta nga fillimi i protestës së opozitës, në një deklaratë për Syri TV, deputeti i PD-së Eno Bozdo u shpreh se protesta e sotme është pjesë e një aksioni të gjerë opozitar që shtrihet në disa fronte dhe synon ndryshimin e situatës politike në vend.

Ai theksoi se opozita po vepron paralelisht në parlament, në terren dhe përmes protestave, të cilat i cilësoi si një nga instrumentet kryesore të reagimit politik. Bozdo deklaroi se ky aksion nuk do të ndalet deri në realizimin e objektivit të opozitës për largimin e kryeministrit Edi Rama.

Deputeti u shpreh se, përpjekjet e opozitës janë të vazhdueshme dhe të koordinuara në të gjitha drejtimet. Ai shtoi se protesta është vetëm një hap në një proces më të gjatë politik që po zhvillohet nga Partia Demokratike.

Pjesë  nga dekarata:

Kjo është protestë. Ne vazhdojmë përpjekjet tona opozitare në të gjitha frontet. Na keni parë dje, besoj, në parlament, në një seancë gjithashtu të gjatë. Kemi ngritur gjatë kësaj jave çështjet që shqetësojnë shqiptarët, si dhe takimet me palët e interesit për çështjen e çmimit të naftës. Zoti Berisha para dy ditësh ishte në Berat, në takim me fermerët për hallet dhe problemet e tyre. Komunikimi i Partisë Demokratike vazhdon në çdo front.

E rëndësishme është që të ngremë shqiptarët dhe kjo qeveri duhet të ikë sa më parë. Aksioni i opozitës, që shtrihet në të gjitha mënyrat dhe me të gjitha instrumentet, nuk ndalet derisa Edi Rama të japë dorëheqjen. Kjo është ajo që mund të themi. Ky është një hap më tej drejt objektivit tonë.

Shikoni, për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje, që është pak a shumë një pyetje që e ka përgjigjen, shumë janë skeptikë nëse vlejnë apo jo protestat. Por mos i shikoni protestat të veçuara nga i gjithë aksioni tjetër opozitar i Partisë Demokratike. Ne kemi dalë në terren, flasim me njerëzit, përgatitemi për zgjedhjet lokale, bëjmë takime me qytetarët për të shpjeguar situatën, ruajmë komunikimin publik dhe bëjmë përballjen tonë në parlament.

Protesta është një ndër instrumentet që ne po përdorim në këtë kohë. A do të mjaftojnë protestat? Ndoshta protestat në vetvete nuk mjaftojnë. Por kjo përpjekje, sigurisht, do të dalë me sukses. Unë besoj që, nëse krahasoni çfarë ka qenë Shqipëria një vit më parë dhe rolin që luan opozita sot, opozita sot ka kthyer opinionin publik drejt saj për zgjidhje.

Opinioni publik sot shikon opozitën dhe ka të drejtë të kërkojë më shumë dhe më mirë prej saj. E para. Opinioni ndërkombëtar i referohet tërësisht opozitës. Ne kemi dokumente ndërkombëtare që provojnë katërcipërisht që Shqipëria është e kriminalizuar, qeveria është e kriminalizuar, korrupsioni bën kërdinë gjithandej dhe që shqiptarët nuk mund të vazhdojnë në këtë regjim.

Shikoni që, pavarësisht retorikës së kryeministrit, edhe rruga e integrimit, për fat të keq, ka ngecur. Ka ngecur dhe kam përshtypjen se kushtet do të jenë gjithnjë e më të rënda, një ripërsëritje e vitit 2015–2016. Pra, ne po bëjmë detyrën tonë dhe do të vazhdojmë. Ky është ritmi ynë dhe kjo është rruga që kemi zgjedhur.