Hungaria dhe gishti që nuk drejtohet nga qeveria
Të dielën e kaluar opozita hungareze, udhëhequr nga Péter Magyar, mposhti thellë qeverinë e Victor Orbán, i cili qeverisi me dorë të fortë për 16 vite e, zgjedhje pas zgjedhjeje, qeverisja e tij, fituar me numra të mëdhenj gjithashtu, mori gjithnjë e më shumë tipare jo-demokratike.
Menjëherë, një kor i tërë komentatorësh politikë dhe mediatikë shqiptarë, në mediat e zakonshme apo sociale, e përdorën rezultatin zgjedhor hungarez si tregues se regjimet jo-demokratike munden me votë, me liderin dhe frymëzimin e duhur. Për rrjedhojë, ky model mund të zbatohet edhe në Shqipëri, por këtu problemi i vetëm sipas tyre është lideri dhe opozita e tij e dobët. Gishtin, si gjithnjë, këta ia drejtojnë opozitës, liderit të saj Sali Berisha, jo qeverisë, autokratit të saj Edi Rama. Disa e bëjnë, por me gjoja.
Më së pari, krahasimi i Hungarisë me Shqipërinë çalon rëndë. Ndonëse natyra autoritare e qeverisjes së Orbán ishte goxha e avancuar, në qeverisjen e Edi Ramës ky tipar është shumë më i avancuar. Sa për ilustrim: sipas OSBE/ODIHR, në zgjedhjet 2022 në Hungari u konstatua mbivendosje e veprimtarisë partiako-elektorale me veprimtarinë shtetërore, ndërsa sipas raportit 2025 për Shqipërinë u konstatua sfumimi tërësor i këtij kufiri dhe këto dy përcaktime janë goxha larg njëri-tjetrit.
Gjithashtu, në Hungari nuk konstatohet as ndonjë rol i fuqishëm i bandave kriminale dhe i parasë së tyre të drogës në zgjedhje, as një varësi ekonomike kaq e fortë e një pjese të madhe të elektoratit nga shërbimet shtetërore si në Shqipëri, as burgosje apo procedim penal i njëkohshëm i liderëve të partive kryesore opozitare si në Shqipëri dhe plot diferenca të tjera.
Këtu duhet të konsiderojmë edhe se në Hungari u përplas Europa e Bashkuar, në antagonizëm të kahershëm me qeverisjen e Orbán dhe në mbështetje të fortë të opozitës, me Rusinë dhe Amerikën, ku secili vend, për hesap të vet, mbështeti regjimin e Orbán, por ama në kohën kur popullariteti i Trump në Europë dhe në Hungari është shumë më shumë negativ se pozitiv (për arsye përtej këtij shkrimi), ndërsa Putini konsiderohet rrezik kryesor e i qenësishëm.
Në Shqipëri, edhe më herët, por veçanërisht në periudhën 2021–2024, qoftë Amerika e Biden/Blinken, qoftë Bashkimi Europian, vendet anëtare, Mbretëria e Bashkuar, deri edhe partitë popullore europiane, kanë qenë, kush më shumë e kush më pak, përkrahëse me tepri e pa meritë të qeverisë Rama dhe kritizuese me po aq tepri të opozitës Berisha. Afërmendsh, në 4 muajt e parë të 2025, me një pozicion më neutral të faktorëve të jashtëm (jo i përmbysur në favor të opozitës), nuk mund të ndreqej dëmi i bërë në më shumë se 4 vite pararendëse.
Megjithatë, duke pranuar se krahasimet çalojnë, le ta marrim për një moment rastin e Hungarisë si orientues dhe të shtrojmë pyetjen se ‘çfarë ndodhi thelbësisht atje dhe çfarë duhet të ndodhë këtu, që të arrihet në rezultat të ngjashëm?’.
Në Hungari lideri opozitar doli nga radhët e regjimit, një ndjekës i apasionuar i Orbán. Ai mori me vete një pjesë të mirë të strukturave partiake të atij regjimi, një pjesë të mirë të elitës mbështetëse të atij regjimi (ekonomike, kulturore, profesionale etj.), një pjesë të mirë të elektoratit të atij regjimi. Kjo do të thotë se në Hungari një pjesë e elitës dhe e strukturave të regjimit, si dhe e votuesve të tij, patën koshiencën politike dhe kurajon civile t’i dilnin kundër regjimit, të bashkoheshin me opozitën tjetër (që dukej e ‘dobët’ përpara këtyre proceseve) dhe të arrinin fitoren.
Për analogji, në Shqipëri do të duhej që një pjesë e mirë e elitës që ka mbështetur regjimin, një pjesë e mirë e strukturave politike dhe një pjesë e mirë e elektoratit të kenë po atë koshiencë politike dhe kurajë civile t’i dalin kundër regjimit të Edi Ramës. Ndërsa Orbán-i i Shqipërisë krahasimisht është Edi Rama, mbetet të shohim cili do të mund të jetë krahasimisht Magyar-i ynë: Bushati, Braçe, Spiropali, a ndonjë tjetër, dhe a do të mundet të tërheqë një pjesë të mirë të elitës, të strukturave dhe të elektoratit e të bëhet forcë dominante opozitare. Vetëm në këtë mënyrë modeli hungarez mund të përsëritet edhe në Shqipëri.
Në fakt, Shqipëria e ka patur një traditë të shkëputjes nga regjimi përkatës i kohës të një pjese të tij, e cila ka dhënë kontribut në përmbysjen e vetë regjimit. Pa shkuar deri tek përmbysja e madhe e 1990–1991, fenomeni në fjalë ndodhi me qeverisjen e PD në 1992–96–97, ndodhi me qeverisjen e PS 2001–2005, u përsërit edhe në qeverisjen e PD në 2009–2013. Diferenca e vetme e rasteve shqiptare me rastin hungarez ishte që pjesa që u shkëput nga qeverisja nuk u bë udhëheqëse e opozitës, por gjithsesi pjesë thelbësore e saj dhe e ndryshimit.
Gjatë qeverisjes Rama, edhe shkëputja e provokuar e LSI nga qeverisja në 2017, edhe dobësia e Libra të Ben Blushit, edhe strategjia skandaloze e opozitës demokrate të kohës e bënë rastin tërësisht të ndryshëm nga ato të mëparshmet, ndaj nuk u arrit rezultati i synuar. Pas kësaj, regjimi Rama, gjithnjë e më pak demokratik, me kulaç a kërbaç, i ka mbajtur radhët e veta shumë kompakte, ndërsa ka proliferuar në shumë formacione jo-kompatibile, deri konfliktuale, opozita reale (pa llogaritur atë me gjoja).
Ndaj, qoftë sipas modelit hungarez, qoftë sipas përvojës sonë politike, regjimi mund të mundet, qoftë edhe duke qenë jo-demokratik, manipulues, i korruptuar, i kriminalizuar, por për këtë duhet që një pjesë e mirë e elitës mbështetëse të këtij regjimi të nxjerrë një lider, të ngrejë struktura, të bëjë opozitarizëm real e kurajoz dhe të tërheqë kështu një pjesë të mirë të votuesve të këtij regjimi kundër tij. A merr lidershipin e opozitës apo bëhet pjesë thelbësore e saj, kjo njësoj ka vlerë për përmbysjen e regjimit, mjafton që ta ndajnë mendjen se regjimi Rama është e keqja më e madhe që duhet mundur me patjetër.
Sa për opozitën aktuale, atë demokrate në veçanti, ata po e bëjnë detyrën e tyre: denoncojnë, propozojnë dhe ftojnë popullin t’u bashkohet në protestat vijuese, e gjitha kjo jo pa sakrifica, jo pa kosto. Cilido që braktis regjimin dhe i kundërvihet atij është i mirëpritur në kampin opozitar.
Veç a tok, më mirë tok.
Të tjerët që vijojnë ta drejtojnë gishtin tek opozita e jo tek regjimi nuk na duhen aspak, mirë janë aty ku janë, le t’i shërbejnë regjimit deri në fundin e tij, të pashmangshëm.