I jepet lamtumira e fundit 19-vjeçares me origjinë shqiptare, humbi jetën në mënyrë tronditëse në Greqi

Në një atmosferë të rënduar nga dhimbja, familjarë, miq dhe të afërm i dhanë sot lamtumirën e fundit 19-vjeçares Myrto, e cila humbi jetën në rrethana tragjike tre ditë më parë në Argostoli të Kefalonisë.

Ceremonia mortore u zhvillua në Kishën Metropolitane të qytetit, ku dhimbja e familjes ishte e dukshme, ndërsa mesazhet në kurorat me lule shprehnin dashurinë dhe mungesën: “Udhëtim të mbarë engjëlli im” dhe “Të duam Myrto”.

Ngjarja ka tronditur opinionin publik në të gjithë Greqinë, duke ngritur një sërë pyetjesh mbi rrethanat e vdekjes së vajzës me origjinë shqiptare. Sipas të dhënave paraprake nga hetimet, Myrto ndodhej në një dhomë hoteli së bashku me tre të rinj, të moshave 22, 23 dhe 26 vjeç. Dyshohet se në ambient janë përdorur lëndë narkotike, ndërsa rreth orës katër të mëngjesit gjendja e saj shëndetësore është përkeqësuar ndjeshëm.

26-vjeçari, i cili është arrestuar në lidhje me çështjen, ka pranuar se kishte siguruar substancat narkotike. Në dëshminë e tij ai pretendon se e reja kishte shfaqur shenja të një krize epileptike dhe se u përpoq ta ndihmonte. Ai ka shpjeguar gjithashtu praninë e gjurmëve të gjakut në dhomë, duke thënë se vajza e kishte kafshuar gjatë përpjekjes për ta mbajtur.

Nga ana tjetër, 22-vjeçari ka deklaruar se nuk ndodhej në të njëjtën dhomë në momentin kritik, por ishte në një ambient tjetër dhe u njoftua me telefon për gjendjen e rënduar të Myrtos. Sipas tij, ai dhe të tjerët e nxorën vajzën jashtë për të marrë ajër dhe qëndruan pranë saj deri në mbërritjen e ambulancës.

Megjithatë, familja e viktimës kërkon zbardhje të plotë të ngjarjes dhe vendosjen e përgjegjësive. Avokati i tyre ka ngritur shqetësime serioze lidhur me reagimin e shërbimit shëndetësor, duke pretenduar se në momentin kur 19-vjeçarja u dërgua në spital, nuk kishte mjekë të pranishëm dhe ndihma mbërriti me vonesë fatale.

Një nga çështjet kryesore që po hetohet është koha që Myrto mund të ketë qëndruar pa ndjenja dhe me spazma në dhomën e hotelit, si dhe nëse është vonuar thirrja për ndihmë. Po ashtu, po verifikohet edhe një version sipas të cilit ajo mund të jetë gjetur jashtë nga kalimtarë të rastit, të cilët kanë njoftuar shërbimet emergjente.

Në fokus të hetimeve është edhe roli i mundshëm i një 66-vjeçari nga Preveza, i cili dyshohet se kishte komunikime me të renë deri në orët e para të mëngjesit dhe i kishte dërguar një shumë parash.

Përtej tragjedisë, rasti ka nxitur debat të fortë në rrjetet sociale. Ndërsa një pjesë e reagimeve janë fokusuar tek jeta personale dhe pamja e jashtme e 19-vjeçares, shumë të tjerë e kanë dënuar këtë qasje, duke theksuar se vëmendja duhet të jetë tek zbardhja e së vërtetës dhe përgjegjësia për humbjen e jetës së një vajze të re.