Ronaldo luajti i sëmurë në fitoren e Al Nassr, në fund vrapoi drejt dhomave të zhveshjes

Një natë e vështirë për Cristiano Ronaldon në ndeshjen e fundit të Al Nassr, ku ‘ylli’ portugez u detyrua të përballej me probleme shëndetësore gjatë fitores 1-0 ndaj Al Ettifaq.

Sipas trajnerit Jorge Jesus, 41-vjeçari ka luajtur me dhimbje stomaku dhe gjendje të përgjithshme dobësie gjatë gjithë takimit. Ai madje u detyrua të largohej menjëherë nga fusha në minutat e fundit dhe të drejtohej për në dhomën e zhveshjes, ku nuk u ndje mirë pas ndeshjes.

“Po mendoja edhe të mos e aktivizoja, nuk ishte në gjendje të mirë. Kishte dhimbje stomaku dhe ndjesi lodhjeje të madhe. Kur e zëvendësova, shkoi direkt në dhomën e zhveshjes dhe u ndje keq”, u shpreh trajneri.

Pavarësisht gjendjes jo të mirë, Ronaldo pati ndikim në ndeshje, duke goditur shtyllën dhe duke detyruar portierin kundërshtar të reagonte në disa raste, ndërsa nga një prej aksioneve të tij erdhi edhe goli vendimtar i ekipit.

Fitorja ishte e 15-ta radhazi për Al Nassr në kampionat, duke e mbajtur ekipin në garë për titullin e parë në Saudi Pro League që nga sezoni 2018-19.

Ronaldo, i cili ka shënuar 24 gola në kampionat këtë sezon, mbetet në garë për titullin e golashënuesit më të mirë, ndërsa synon të rikuperohet plotësisht për sfidat e ardhshme.