'Shqipëria po zbrazet', Strazimiri: Kjo qeveri po shtrembëron realitetin, reagimi qytetar i domosdoshëm
I ftuar në edicionin informativ të lajmeve në Syri TV, ligjvënësi demokrat Gent Strazimiri ka theksuar se protesta e opozitës që do të mbahet sot në orën 19:00 në shesh është një reagim i domosdoshëm qytetar.
Ai u shpreh se vendi po përballet me largim të vazhdueshëm të shqiptarëve dhe me një realitet të vështirë që, sipas tij, shtrembërohet nga propaganda qeveritare. Strazimiri theksoi se qytetarët janë të ndërgjegjshëm për situatën dhe se protesta synon të zgjojë reagimin kundër pasivitetit.
Ai shtoi se kufizimet ndaj opozitës në Kuvend janë shtuar përmes ndryshimeve të njëanshme në rregullore. Sipas tij, kjo situatë kërkon reagim të vazhdueshëm dhe jo të izoluar.
Në përfundim, ai e cilësoi protestën si një proces të domosdoshëm për të kundërshtuar qeverinë dhe për të mbrojtur të drejtat e qytetarëve.
Pjesë nga deklarata:
Duhet të keni parasysh diçka: protesta duhet parë si një proces. Ekziston një Shqipëri që nuk dorëzohet, dhe ky është lajmi i mirë. Ashtu sikurse ka edhe një Shqipëri që largohet, e dorëzuar, e gjymtuar, e dëmtuar, e lodhur, e cila përpiqet të krijojë jetën diku tjetër, duke braktisur atdheun; praktikisht duke braktisur prindërit e moshuar, domethënë duke i lënë vetëm, e disa madje duke braktisur edhe fëmijët.
Dëgjohen, pra, dramat familjare të shqiptarëve që mendojnë se largimi është zgjidhja. Dje ishte revoltuese në parlament: të gjithë kishin të njëjtin tekst. Ishte rritur ajo që bëhet gjithmonë “meme”; dikush më thoshte se mirëqenia ishte rritur me 27 miliardë euro. Dhe, sipas tyre, gjatë qeverisjes së Edi Ramës nuk paska ikje, por qenkan kthyer në Shqipëri 108 mijë veta.
Ndërkohë, është Eurostati që thotë se 910 mijë janë larguar. Unë e kam humbur numërimin se deri kur, ndoshta deri para tre-katër vjetësh, sepse vazhdojnë të ikin. Kështu që është revoltuese mënyra se si flasin, si përpiqen të përplasin në fytyrë një realitet të shtrembëruar dhe, sigurisht, plotfuqishmërinë përmes së cilës deklarojnë se ti je lindur për të vuajtur, se do të vuash në këtë mënyrë, madje të urdhërojnë të jesh edhe i lumtur, i qetë dhe i buzëqeshur.
Unë mendoj, siç ju thashë, se në këto kushte nuk ka zgjidhje tjetër. Opozita në parlament bën rezistencë dhe mund të thotë disa të vërteta. Mediat si puna juaj — megjithëse janë shumë pak, sidomos ato online guxojnë të thonë disa të vërteta, por kryesisht vetëm informojnë. Këtu nuk është se populli apo shoqëria nuk e di realitetin. Ajo për të cilën i thërrasim në protestë është pikërisht për të kuptuar se pasiviteti nuk është zgjidhje.
Sigurisht, protesta nuk i zgjidh problemet as me një, as me dy herë, por duhet të jemi në këmbë, duhet të jemi aty për të treguar se nuk mund të na marrin bukën e gojës së fëmijëve, vaktin e tyre; nuk mund të luajnë me momentet e fundit të jetës së prindërve tanë.
Unë nuk e kam lexuar argumentimin e gjykatës, por një gjë është e qartë: këta kanë denatyruar rregulloren e Kuvendit. Prej 13 vitesh ndërhyjnë në të dhe bëjnë ndryshime të njëanshme, duke shkruar absurditete. Praktikisht ajo është kthyer në një kod penal, jo në një rregullore konsensuale midis deputetëve, por në një instrument për t’i mbyllur gojën opozitës, në duart e mazhorancës.
Ka nene të tilla që, për shembull, përjashtohet një deputet për 60 apo 90 ditë, pra për një sesion të tërë. Kjo, nga pikëpamja e logjikës së shëndoshë, është e papranueshme. Ose një nen tjetër, në një nga shtojcat, ku parashikohet që kapiteni i Gardës, kur hyn deputeti, mund t’i kërkojë të ngrejë duart për kontroll fizik. Nëse deputeti refuzon, mund të mos lejohet të hyjë në sallë.
Nga kjo pikëpamje, me rregulloren e Kuvendit i janë dhënë kompetenca kapitenit të Gardës që nuk i ka as Prokurori i Përgjithshëm, as SPAK-u, as policia. Prandaj beteja jonë është zhvilluar në Kuvend dhe lidhet edhe me këto ndryshime, të cilat më në fund, edhe nga Gjykata Kushtetuese, janë kritikuar. Të gjithë, praktikisht, i kanë thënë: mos bëni gabime me rregulloren e Kuvendit.
Kjo do të vazhdojë, pavarësisht se këta rrëzohen vazhdimisht edhe nga gjykatat e tyre dhe nuk e çojnë deri në fund aventurën kundër opozitës. Edhe pardje sollën ndryshime të tjera në Kuvend përmes Taulant Ballës — sërish të njëanshme. Ne u thamë qartë se, pa u zbardhur vendimi i Gjykatës Kushtetuese, nuk mund të nisnin një procedurë të re. Të paktën përkohësisht, janë tërhequr.
Ajo që po ndodh në çdo aspekt të jetës është shqetësuese. Nëse sillen kështu me deputetë, që kanë imunitet dhe janë përfaqësues të zgjedhur nga populli, imagjinoni se si trajtohen qytetarët e thjeshtë. Prandaj them se e vetmja mundësi që ka mbetur është protesta. Dhe protesta nuk është një ngjarje, por një proces.