Bien shitjet për grupin më të madh të luksit në botë: Ja arsyeja...
Konflikti në Lindjen e Mesme ka ndikuar negativisht në shitjet e LVMH-së gjatë tremujorit të parë, me grupin më të madh të luksit në botë që nxori në pah efektin e luftës në sektorin e tij kryesor të modës dhe produkteve prej lëkure.
Shitjet e LVMH-së u rritën vetëm me 1% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, duke arritur në 19.1 miliardë euro, më pak se pritshmëritë e analistëve. Në divizionin e modës, ku përfshihen marka si Louis Vuitton dhe Dior, shitjet ranë me 2% në 9.24 miliardë euro, duke shënuar rënien e shtatë radhazi tremujore.
Kompania tha se lufta mes SHBA-së dhe Izraelit kundër Iranit ndikoi negativisht në shitjet e muajit mars me rreth 3 pikë përqindje. Sulmet me raketa në rajonin e Gjirit, përfshirë Dubain, bënë që konsumatorët të shmangnin qendrat tregtare dhe ulën numrin e turistëve dhe vizitorëve. Për gjithë tremujorin, konflikti uli rritjen e shitjeve me rreth 1 pikë përqindje.
"Në një mjedis gjeopolitik dhe ekonomik të trazuar nga konflikti në Lindjen e Mesme, LVMH mbetet e kujdesshme, por edhe optimiste," tha kompania.
Këto rezultate janë një goditje për shpresat e industrisë që viti 2026 do të sillte rimëkëmbje pas një periudhe të gjatë rënieje, ku pritej që drejtues të rinj kreativë të sillnin energji të re në markat kryesore.
Aksionet e LVMH-së, që kontrollohet nga familja e miliarderit francez Bernard Arnault, kanë rënë me rreth 25% këtë vit. Aksionet e kompanisë në SHBA ranë me 3.6% të hënën pas publikimit të rezultateve, duke tërhequr poshtë edhe kompani të tjera të sektorit të luksit.
Ndikimi i drejtpërdrejtë i luftës në shpenzimet për luks pritet të jetë i kufizuar, pasi rajoni përbën rreth 5% të shitjeve globale të industrisë. Megjithatë, analistët paralajmërojnë se rreziku më i madh është një konflikt i zgjatur që mund të dëmtojë besimin e konsumatorëve në mbarë botën.
Muajin e kaluar, HSBC uli parashikimin për rritjen e shitjeve në industrinë e luksit me 1.1 pikë përqindje, duke e çuar në 5.9% për vitin 2026, duke përmendur dobësinë në Europë dhe Lindjen e Mesme.
Në SHBA, shitjet e LVMH mbetën të forta, duke u rritur me 3%, ndërsa në Azi (jashtë Japonisë) pati përmirësim me një rritje prej 7%, pas një periudhe të gjatë dobësie në Kinë. Në Europë dhe Japoni, shitjet ranë me 3%, pasi kërkesa lokale nuk arriti të kompensojë rënien e shpenzimeve nga turistët.
Ndryshe nga tendenca negative, shitjet e orëve dhe bizhuterive, veçanërisht nga markat Tiffany dhe Bvlgari, u rritën me 7%.
Analistët shpresojnë që LVMH të përfitojë këtë vit nga ardhja e stilistëve të rinj si Jonathan Anderson në Dior dhe Michael Rider në Celine.
"Situata ekonomike globale nuk duket shumë pozitive, por kreativiteti i ri dhe çmimet më tërheqëse pritet të nxisin përmirësim," tha analistja Anne-Laure Bismuth nga HSBC. / FT – Syri.net