E papritur, Arabia Saudite shkarkon trajnerin dy muaj para Botërorit 2026
Një vendim surprizues vjen nga kampi i Kombëtares së Arabisë Saudite, e cila ka shkarkuar trajnerin Hervé Renard vetëm dy muaj para nisjes së Kupa e Botës 2026. Lajmi është bërë i ditur këtë të premte dhe konfirmon zërat që qarkullonin prej javësh për një ndarje të mundshme mes palëve.
Tekniku francez, 57 vjeç, i jep fund në mënyrë të papritur aventurës së tij të dytë në krye të përfaqësueses saudite. Ai po përgatitej të drejtonte ekipin në Botërorin e tij të dytë me këtë kombëtare, e cila është pjesë e Grupit H së bashku me Spanjën, Uruguain dhe Kombëtaren e Kepit të Gjelbër. Turneu do të zhvillohet nga 11 qershori deri më 19 korrik 2026.
Renard kishte drejtuar më parë Arabinë Saudite nga viti 2019 deri në 2023, periudhë gjatë së cilës arriti një sukses historik në Kupën e Botës 2022, duke mposhtur Argjentinën me rezultatin 2-1 në ndeshjen hapëse, një fitore ndaj skuadrës që më pas u shpall kampione bote.
Pas largimit të tij në vitin 2023, ai mori drejtimin e kombëtares së femrave të Francës për Lojërat Olimpike Paris 2024, por u rikthye sërish në stolin e Arabisë Saudite në tetor të vitit 2024, duke siguruar edhe kualifikimin për Botërorin e ardhshëm.
Ky nuk është rasti i vetëm i një ndryshimi të papritur në prag të një Botërori. Së fundmi, Otto Addo u largua nga drejtimi i Ganës, ndërsa vendin e tij e mori trajneri portugez, Carlos Queiroz, i cili do të udhëheqë ekipin në një tjetër Kupë Bote.