PS bllokoi propozimin e PD për naftën, Bozdo: Çdo ditë më shumë nën qeverisjen e Ramës, në dëm të Shqipërisë

Në prag të protestës kombëtare të opozitës, deputeti i Partisë Demokratike, Eno Bozdo i ftuar në një intervistë në edicionin e mesditës në Syri tv me moderatorin Arnold Kariqi, ka bërë thirrje për pjesëmarrje masive, duke argumentuar se arsyet për të protestuar janë të panumërta, nga çmimet e larta dhe taksat abuzive, te korrupsioni dhe emigracioni masiv. Ai akuzoi qeverinë se po përfiton financiarisht nga kriza e çmimeve të karburanteve dhe zbuloi detaje nga plani ligjor i PD-së, i cili, sipas tij, do të ulte ndjeshëm çmimin e naftës, por që po has në bllokadën e mazhorancës socialiste.

Sipas deputetit demokrat, nuk ka asnjë arsye për të mos iu bashkuar protestës. “Më thoni çfarë ekzaktësisht ecën në këtë vend që të mos t’i bashkohesh një proteste? Taksat e larta, çmimet e larta, papunësia, emigracioni, korrupsioni? Çdo ditë që kalon nën qeverisjen e Edi Ramës është një ditë që shkon në drejtim të kundërt me atë që duhet të avancojë vendi,” deklaroi ai.

Në fokus të diskutimit ishte propozimi konkret i opozitës për të lehtësuar barrën e qytetarëve nga çmimet stratosferike të karburantit. Bozdo shpjegoi se PD ka depozituar një paketë me dy projektligje, e cila parashikon eliminimin e taksës së qarkullimit që paguhet te çmimi i naftës, duke theksuar se shqiptarët e paguajnë këtë taksë dyfish, si gjatë kolaudimit të mjetit, ashtu edhe në çdo litër karburant.

Arnold Kariqi: Protesta kombëtare e opozitës, në fakt do të jetë një protestë që na rikthen edhe fjalimet me ç'kemi arritur të mësojmë nga organizimi i Partisë Demokratike. Pikë së pari Bozdo, qytetarët që na ndjekin, pse duhet t'i bashkohen kësaj proteste?

Eno Bozdo: Unë si gjithmonë e filloj nga e kundërta. Unë nuk besoj se ka më ndonjë arsye për të mos t'ju bashkuar. Më thoni çfarë ekzaktësisht ecën në këtë vend që të mos t'i bashkohesh një proteste? Taksat e larta, çmimet e larta, papunësia, emigracioni, korrupsioni. Plas një çështje sot korrupsioni, pastaj i plas një çështje tjetër e korrupsionit dhe krimit të organizuar. Më thoni diçka që ecën realisht. Dhe është njëherë edhe perceptimi, besoj unë, i gjithë qytetarëve shqiptarë, që vendi nuk mund të bëjë më kështu përpara në këtë rrugë. Sepse çdo ditë që kalon më shumë nën qeverisjen e Edi Ramës, është jo thjesht si një ditë e humbur jete për shqiptarët, po është një ditë që shkon në drejtim të kundërt me asaj që duhet të avancojë vendi. E pra, këto janë të gjitha, arsyet që qytetarët të dalin e të protestojnë. Të protestojnë për çmimin e naftës, të protestojnë për korrupsionin, për mbrojtjen që Edi Rama i bën korrupsionit. Të protestojnë për shtrirjen e krimit të organizuar, të protestojnë për çmimet shumë të larta, jo vetëm të ushqimeve, po kudo. Të protestojnë për mungesën e vendeve të punës, të protestojnë për mjedisin që nuk ekziston, për sistemin arsimor që është shumë problematik, për sistemin shëndetësor që është në kolaps. Janë të gjitha, arsyet për të, protestuar.

Arnold Kariqi: Ndërkohë duhet të ndalemi pak tek përplasjet politike. Ju në fakt keni prezantuar projektligjin për uljen e taksave të hidrokarbureve. Çka mund të sillte dhe uljen e çmimit të naftës për qytetarët shqiptarë, por ajo nuk e gjeti dakordësinë e mazhorancës?

Eno Bozdo: Nuk e ka gjetur deri më sot. Të hënën dhe të martën, paketa ligjore për uljen e çmimit të karburanteve, ta themi kështu që ta kuptojnë dhe ata që na ndjekin, do të prezantohet në tre komisione të ndryshme, ekonomia, ai i burimeve natyrore dhe i ligjeve, përsëri, sepse nuk kemi të bëjmë me një projektligj, janë dy projektligje, plus edhe një projektligj tjetër për uljen e akcizës së gazit që përdoret për arsye prodhimi, kjo është për të ndihmuar prodhimet shqiptare, prodhimet made in Albania. Nuk dua ta paragjykoj, por me sa e shoh klimën, nuk më duket se mazhoranca ka ndërmend që të bëjë një hap prapa. Pra nuk do absolutisht të ulë çmimin e karburantit. Mendon se  është i drejtë edhe i merituar për shqiptarët dhe kështu Shqipëria jonë e dashur hyn në listën, si vendi i vetëm në rajon, që nuk ka marrë as edhe një masë të vetme për të lehtësuar rritjen e ndjeshme të çmimit të karburantit, qoftë për ekonominë familjare, qoftë për ekonominë prodhuese shqiptare. E them, jemi vendi i vetëm në Evropë dhe rajon që nuk marrim një masë në ndihmë të popullatës edhe të ekonomisë, po e lëmë situatën në gjendje të lirë. Përballë kësaj, kryeministri propozon atë që quhet Bordi i Transparencës, që gati kthehet në qesharak, se brenda dy ditësh mblidhet, njëherë e ndryshon, njëherë e rrit, njëherë e ul dhe nuk merret vesh...

Çdo rritje e çmimit të naftës, karburantit, sjell të ardhura shtesë në xhepin e qeverisë, nëpërmjet TVSH-së. Në qoftë se çmimi i karburantit ka qenë 1750 lekë të vjetra për litër përpara krizës dhe sot është 2150, do të thotë që çmimi është rritur me 400 lekë të vjetra. Nga këto 400 lekë të rritur, 20% merret në formën e TVSH-së nga qeveria. 20% e 400 lekëve janë 80 lekë të vjetra. Pra, për çdo litër nafte, qeveria fut në xhep, 80 lekë të vjetra dhe në një përllogaritje që bëri sot në revistën Monitor, qeveria kishte fituar nga rritja e çmimit vetëm për muajin mars, afro 4 milionë euro, ndërsa shqiptarët kishin shpenzuar afro 12 milionë euro. Pra, nga 12 milionë euro që shpenzojnë shqiptarët, katër qeveria i paska futur në xhep. I është kthyer ndonjë euro mbrapsht, se këto janë fitime të pamerituara. Këto janë fitime që qeverisë i kanë ardhur nga qielli. Nga kriza në këtë rast, se nuk janë të planifikuara.

Nuk bëhet fjalë as për deficite të ardhurash, as për probleme planifikimi. Këto vijnë për arsye të një situate që nuk është në dorën tonë dhe ne nuk kemi ç'bëjmë asgjë, përveçse të lehtësojmë shqiptarët dhe ekonominë shqiptare, gjë që nuk po e bëjmë. Katër milionë euro qeveria është pasuruar. As edhe një euro të vetme nuk i është derdhur mbrapsht shqiptarëve nga ky pasurim, le ta themi në thonjëza, i padrejtë. Në një kohë që direktiva e Bashkimit Europian ka një përcaktim të saktë, është quajtur direktiva për fitimet e papritura dhe i lejon shteteve anëtare që përfitimet shtesë, totalisht jashtë planifikimit të tyre, mund të vendosin taksa 50, 70 deri në 90%, siç është rasti i vendeve skandinave. Dhe kjo direktivë, që në fakt u miratua gjatë kohës së pandemisë Covid, ishte e targetuar për kompanitë e energjisë, të cilët për shkak të rritjes dy dhe tre herë të çmimit të energjisë, morën fitime të pamerituara, por këto fitime nuk i takojnë. Këtu nuk kemi kompani energjie, këtu kemi shtetin shqiptar, qeverinë shqiptare që merr fitime të pamerituara. Nëse kjo direktivë do ishte zbatuar, 90% e 4 milionë euro do t'i kthehej mbrapsht bashkëqytetarëve shqiptarë. Deri më sot nuk kemi qoftë edhe një euro të kthyer mbrapsht. Pra, ky është plani moral ku qeveria shqiptare është duke operuar sot. Dhe këtë plan moral, këtë zbrazëtirë të përmbajtjes e mbush me lajme e ula pesë lekë, e rrita dy lekë...