Berisha: Të ngrihemi edhe kundër puthadorëve të qeverisë që shpifin, manipulojnë dhe trillojnë të vërtetat për të mbrojtur Edi Ramën

Lideri demokrat Sali Berisha disa orë nga nisja e protestës kombëtare të opozitës, u ka bërë thirrje qytetarëve të dalin e të protestojnë, në atë që e cilësoi si ‘puthadorët e qeverisë që shpifin, manipulojnë dhe trillojnë të vërtetat për të mbrojtur Edi Ramën’.

Duke folur para gazetarëve në selinë blu, Berisha tha se qytetarët duhet të ngrihen në protestë, pasi mediat pranë qeverisë po bëjnë gjithçka për t’i manipuluar, në mënyrë që të mbrojnë qeverinë e korruptuar të Ramës.

‘...jeni sot zëri i vetëm i ndërgjegjes kombëtare në Shqipëri, në Europë dhe në botë. Sot shqiptarët kanë fjalën e tyre, sot është dita e tyre’, u shpreh Berisha.

Sipas kryedemokratit, kryengritja paqësore nuk ndalon deri në përmbushjen e misionit të plotë, që është dhe mbetet, përmbysja e narkoregjimit të Edi Ramës.

E kam theksuar dhe e theksoj përsëri, çështje madhore për çdo shqiptar është çështja e portit të Durrësit.

Porti i Durrësit është pasuria më e madhe publike që kanë trashëguar shqiptarët nga shteti i tyre në 100 vite dhe më parë.

Kjo pasuri publike tjetërsohet dhe shndërrohet në Dubain e 1001 netëve të Edi Ramës.

Një fitim përrallor që tejkalon dhe 4 miliardë euro.

Por krahas kësaj, çdo qytetar shqiptar, me taksat e tij është i detyruar të ndëshkohet dhe me 1 miliard euro, minimumi, porti i ri i Porto Romanos që zëvendëson portin e Durrësit, por që në fakt do jetë 4 herë më i vogël se porti i Durrësit.

Është një motiv për çdo qytetar të këtij vendi për të mbrojtur interesin dhe pasuritë publike të vetat dhe të mbarë shqiptarëve.

Motivet e kryengritjes sonë paqësore janë të shumta.

Por ka një motiv tjetër jashtëzakonisht thelbësor në rrafshin moral.

Është një periudhë në të cilën puthadorët e qeverisë, altoparlantët e saj, bëjnë gjithçka për të mbuluar aktet antiligjore, antikombëtare të qeverisë së Edi Ramës.

Janë hedhur në sulm të shfrenuar kundër opozitës për fajin e vetëm të saj se qëndron e pamposhtur ndaj këtij regjimi kriminal nga i cili ushqehen ditë e natë.

Bëjnë gjithçka të shpifin, të manipulojnë, të trillojnë të vërteta, duke turpëruar veten, studion, duke u dëshmuar një mafie më e rrezikshme se ajo e kokainës.

Ndaj dhe qytetarë, duhet të ngrihemi kundër kësaj mafie që shpif, trillon dhe manipulon nga mëngjesi gjer në darkë kundër interesave tuaja dhe mbron interesat e padronit të vet, Edi Ramës.

Duhet të ngrihemi kundër atyre që bëjnë gjithçka t’u dekurajojnë, kundër puthadorëve të qeverisë që mbushin studiot kundër protestave tuaja, që jeni sot zëri i vetëm i ndërgjegjes kombëtare në Shqipëri, në Europë dhe në botë.

Sot shqiptarët kanë fjalën e tyre, sot është dita e tyre.

Kryengritja jonë paqësore nuk ndalon gjer në përmbushjen e misionit tonë të plotë, përmbysjen e narkoregjimit të Edi Ramës.