VIDEO/ Kontrata e re për Silvinjon? Duka ia lë ‘topin’ trajnerit brazilian, zbardhen prapaskenat

E ardhmja e stolit të Kombëtares shqiptare mbetet e paqartë, teksa presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka bërë të ditur se vendimi përfundimtar për vazhdimësinë e trajnerit Silvinjo do të merret para ndeshjeve miqësore të muajit qershor.

Gjatë një konference për shtyp, Duka zbuloi se fati i teknikut brazilian është tashmë në duart e tij, pas një bisede të zhvilluar mes tyre.

“Një trajner e ndjen vetë, një profesionist e ndjen vetë nëse vërtetë mund ta udhëheqi më një skuadër. Ky është një pozicion që të konsumon”, deklaroi Duka, duke theksuar se i ka komunikuar trajnerit se, sipas tij, ai ka ende energji, por vendimi final i takon atij.

Nëse përgjigja e Sylvinhos do të jetë pozitive, atëherë federata do t'i ofrojë kushtet për një kontratë të re pas muajit korrik. Në të kundërt, do të kërkohen alternativa të tjera.

“Kjo gjë do ta vendosim para ndeshjeve miqësore të qershorit, nëse do vazhdojmë me të njëjtin trajner. Pra, varet nga të dy palët”, shtoi kreu i FSHF-së.

Duke iu përgjigjur interesit të medias mbi kontratën e fundit 6-mujore të trajnerit, Duka shpjegoi se ajo nuk ishte thjesht një shpërblim, por një lëvizje strategjike për të motivuar ekipin përpara ndeshjeve të “play-off”-it të Botërorit.

Sipas tij, një kontratë që do të përfundonte në mars do të dërgonte një mesazh demotivues, duke lënë të kuptohej se nuk besohej te kualifikimi.

Zgjatja deri në qershor ishte një sinjal besimi se skuadra do të ishte në Botëror.