Krizë në bujqësi/ Fermerët në Fier drejt falimentit: Çmimi i kastravecit përgjysmohet

Fermerët e serave në zonat Suk 1 dhe Suk 2 po përballen me një situatë të rëndë ekonomike, duke vënë në rrezik vijimin e aktivitetit të tyre bujqësor. Shkak kryesor është bërë rënia e ndjeshme e çmimit të kastravecit në pikat e grumbullimit.

Sipas fermerëve, vetëm pak ditë më parë një kilogram kastravec shitej me rreth 400 lekë të vjetra, ndërsa aktualisht çmimi ka rënë në 200 lekë, madje në disa raste prodhimi po merret edhe pa çmim. Kjo situatë ka bërë që prodhimi të shitet nën kosto, duke u shkaktuar humbje të konsiderueshme.

“Me këto çmime nuk mbulojmë as shpenzimet minimale”, shprehen ata, duke theksuar se kostot për farëra, plehra kimike dhe mirëmbajtjen e serrave janë në rritje të vazhdueshme. Ndërkohë, në treg, çmimi i kastravecit për konsumatorin arrin deri në 1000–1500 lekë të vjetra për kilogram, çka rrit edhe më shumë pakënaqësinë e prodhuesve.

Një tjetër problem mbetet mungesa e fuqisë punëtore, pasi gjithnjë e më pak persona janë të gatshëm të punojnë në bujqësi. Përballë kësaj situate, shumë fermerë paralajmërojnë se mund të detyrohen të braktisin serrat dhe të emigrojnë, duke thelluar krizën në sektorin bujqësor në zonë.