Ujku i arratisur në Korenë e Jugut kapet pas një kërkimi nëntëditor

Neukgu, ujku dyvjeçar që u arratis nga një kopsht zoologjik në Korenë e Jugut dhe tërhoqi vëmendjen e gjithë vendit, është kapur më në fund pas një kërkimi që zgjati nëntë ditë.

Sipas autoriteteve të qytetit Daejeon, ku ndodhej kopshti zoologjik, Neukgu u kap pranë një autostrade të premten në orën 00:44 me kohën lokale. Pas ekzaminimit mjekësor, u konstatua se pulsi dhe temperatura e trupit të tij ishin normale.

Qindra efektivë shpëtimi ishin angazhuar në kërkimin e ujkut, ndërsa disa herë autoritetet iu afruan kapjes së tij, por çdo herë ai arrinte të shpëtonte. Në fillim të javës, ai ishte parë në një zonë malore rreth 2 kilometra larg parkut zoologjik O-World, nga ku ishte arratisur.

Neukgu u bë viral edhe në rrjetet sociale, ku qarkulloi një video që e tregonte duke vrapuar në errësirë në një rrugë, i ndriçuar nga dritat e një automjeti. Madje, ai frymëzoi edhe krijimin e një kriptomonedhe humoristike, si simbol i “ujkut që nuk pranon të mbahet i mbyllur”.

I lindur në vitin 2024, Neukgu ishte pjesë e një programi për rikthimin e ujkut korean në natyrë, një specie që dikur jetonte në gadishullin korean, por që sot konsiderohet e zhdukur në natyrë. Megjithatë, kishte shqetësime nëse ai do të mund të mbijetonte jashtë habitatit të kontrolluar.

Kapja e tij u realizua pas një tjetër operacioni kërkimi në zonën Anyeong-dong, ku autoritetet e qëlluan me një armë qetësuese nga një distancë prej rreth 20 metrash. Sipas tyre, ujku lëvizte shumë shpejt dhe u monitorua me dron deri sa u qetësua plotësisht.

Pamjet e publikuara nga autoritetet tregojnë momentin kur Neukgu transportohet nga ekipet e shpëtimit dhe më pas trajtohet në një qendër mjekësore. Sipas autoriteteve, ai nuk kishte humbur shumë peshë dhe dukej se kishte arritur të ushqehej gjatë kohës që ishte i lirë.

Autoritetet zbuluan gjithashtu një grep peshkimi në stomakun e tij, i cili u hoq përmes një ndërhyrjeje endoskopike.

“Faleminderit të gjithëve që punuan për ta kthyer Neukgu-n në shtëpi”, thuhet në reagimin e autoriteteve, duke falënderuar edhe qytetarët për mbështetjen dhe shqetësimin e treguar për sigurinë e tij.