VIDEO/ Qindra qytetarë nga Lushnja nisen drejt Tiranës për protestë

Qindra mbështetës të Partisë Demokratike dhe qytetarë nga Lushnja janë nisur drejt Tiranës për t’iu bashkuar protestës së thirrur sot nga opozita.

Sipas drejtuesve lokalë të PD-së, pjesëmarrësit kanë filluar të udhëtojnë që në orët e para të mëngjesit, kryesisht në mënyrë individuale, pasi nuk është organizuar transport i përbashkët. Ata theksojnë se kompanitë e transportit publik nuk pranojnë të angazhohen, nga frika e penalizimeve.

Ndryshe nga protestat e mëparshme, burime nga PD Lushnje bëjnë të ditur se kësaj here pritet një pjesëmarrje më e gjerë edhe nga qytetarë që nuk janë pjesë e strukturave partiake. Në protestë do të marrin pjesë edhe fermerë, të cilët kundërshtojnë rritjen e çmimeve të inputeve bujqësore dhe të naftës, ndërsa qytetarët shprehin pakënaqësi për rritjen e kostos së jetesës, që sipas tyre lidhet me korrupsionin dhe keqmenaxhimin qeveritar.