Shqiptari në Itali kultivonte drogë në magazinë, sekuestrohen 28 kg marijuanë dhe mijëra bimë kanabisi
Dy shtetas shqiptarë janë arrestuar në Itali, pasi akuzohen për prodhim dhe shpërndarje të lëndëve narkotike, në kuadër të një operacioni të zhvilluar nga policia italiane në provincat e Monzës dhe Bergamos.
Sipas autoriteteve, një 43-vjeçar, i cili më parë dyshohej si korrier droge në një rrjet kriminal, kishte nisur të kultivonte vetë marijuanë dhe kanabis, duke ngritur një serrë të mirëorganizuar brenda një magazine në zonën e Bergamos. Gjatë kontrollit në banesën e tij në Brugherio, policia gjeti dhe sekuestroi 7.3 kilogramë marijuanë të paketuar.
Hetimet çuan më pas në zbulimin e magazinës në Ubiale Clanezzo, ku u sekuestruan edhe 28 kilogramë të tjerë marijuanë, një pjesë e së cilës ishte gati për tregtim. Në ambientet e kësaj magazine, e përshtatur për të fshehur aktivitetin ilegal, u zbuluan gjithashtu dy ambiente të pajisura si sera, me sisteme ndriçimi, ujitjeje dhe ventilimi, ku kultivoheshin rreth 1,920 bimë kanabisi.
Në vendngjarje u arrestua edhe një tjetër shtetas shqiptar, 40 vjeç, i cili dyshohet se shërbente si kujdestar i magazinës dhe merrej me të gjitha proceset e kultivimit dhe përpunimit të drogës.
Operacioni është zhvilluar në kuadër të një hetimi më të gjerë kundër trafikut të drogës, të koordinuar nga prokuroritë italiane, ndërsa të arrestuarit janë dërguar në burgun e Bergamos, në dispozicion të drejtësisë.