17 prilli, protesta që rrëzon fasadën e qeverisë

Nga Ethem Aga/

Një protestë nuk matet me numra sa herë janë zhvilluar dhe sa pjesëmarrës ka, por kush është kauza dhe ku po arrin me të. Përballë kësaj situate është sot Partia Demokratike e cila thërret protestën e radhës kombëtare. Asgjë nuk mund të ndalë frymën, as qëllimet dhe mbi të gjitha po justifikohen gjithnjë e më shumë mjetet kur ballë protestave është një qeverisje e cila ka humbur çdo kredo për tu quajtur e tillë.

Qeverisja më e kurruptuar në Europë sot po shet si “arritje” qëllimin për të qenë pjesë e Bashkimit Europian. Më shumë se kurrë, veçanërisht qeveria shqiptare dukshëm është në optikën e Brukselit zyrtar si pengesa e madhe e integrimit të vendit. Këtë nuk e thotë më vetëm opozita, as ata pak media që nuk kanë pranuar kulaçin dhe kërbaçin qeveritar, por vetë Bashkimi Europian. Raportet e IBAR dhe një mbledhje e Komisionit Europian, ngritën shqetësimin kryesor që ka të bëjë me themelet mbi të cilat BE ka ngritur strukturën e saj: demokracia është në rrezik dhe mbi të gjitha mungesa e votës së lirë dhe ndërhyrjet në pushtetin e drejtësisë.

Nëse qeveria ka këtë bilanc, edhe opozita duhet të ketë një bilanc të saj. E thënë fare kuptueshëm, Edi Rama që duket aq i fuqishëm në fakt është më i dobët se kurrë. Të vetmen forcë ai e mbështet mbi propagandë e cila nuk është gjë tjetër përveç fasadës, të ngjashme me atë që digjet shpejt, e bukur nga jasht, por tërësisht e djegshme dhe e kalbur nga brenda. Synimi i opozitës duhet të shkojë pikërisht në shembjen e propagandës dhe thyerjen e mitit të ringritur po nga propaganda qeverisëse se ai (Rama) është i pathyeshëm. Fasada është makiashi që mbulon “fytyrën qeverisëse”, dhe kjo u duhet fshirë, për tu dalë e vërteta bashkë me “mbretin çullak”.

Vetë qeveria pranon korrupsioni, madje nuk fshihet, por po e kthen në diçka të zakonshme, mëse normale dhe madje kërkon të imponojë që edhe qytetarët ta pranojnë vjedhjen që ata bëjnë. Nëse në mandatet e tjera mundohej të refuzonte se në vend ka korrupsion, tashmë ai (Rama dhe enturazhi i tij), jo vetëm e pranojnë, por po e shesin diçka normale.

Janë gati të ndryshojnë edhe ligjet që veprën penale të shpërdorimit të detyrës dhe korrupsionit ta “fshijnë” nga Kodi Penal. Rreziku mbetet i madh dhe kjo fasadë që mbulon aferat më të rëndë që vendi ynë ka njophur ndonjëherë duhet të shembet njëherë e mirë. U takon gjithë qytetarëve të ndershëm të vendit dhe vetë opozitës që të prijë në këtë betejë. Nëse shembet fasada, qeverisja në dukje e “fortë” është e rrëzuar.