Aston Villa shkatërron Bologna-n me katër gola, kualifikohen edhe Braga e Nottonghami
Aston Villa ka siguruar një fitore të thellë 4-0 ndaj Bologna-s në “Villa Park”, duke mbyllur me sukses çerekfinalen e kompeticionit europian dhe duke avancuar me meritë në gjysmëfinale.
Ndeshja u zhbllokua shumë shpejt, kur në minutën e 17-të erdhi goli i parë i vendasve. Një aksion perfekt vertikal u finalizua me një pasim të Emiliano Buendía për Morgan Rogers, i cili asistoi menjëherë për Ollie Ëatkins, që shënoi për 1-0.
Vetëm pak minuta më vonë, në minutën e 24-t, pas një prekje me dorë të mbrojtjes së Bologna-s dhe rishikimit nga VAR-i, u akordua penallti për anglezët. Megjithëse Francesco Ravaglia e priti goditjen e Rogers, presioni vazhdoi dhe në minutën e 26-të Buendía përfitoi nga një gabim në mbrojtje për të dyfishuar rezultatin në 2-0.
Dominimi i Aston Villa-s vazhdoi dhe në minutën e 39-të erdhi edhe goli i tretë: Rogers, këtë herë si finalizues, shfrytëzoi hapësirat në mbrojtjen italiane dhe e çoi rezultatin në 3-0, duke mbyllur praktikisht ndeshjen që në pjesën e parë.
Në pjesën e dytë, Bologna tentoi të reagonte me rastet e Santiago Castro-s dhe Riccardo Orsolini-t, por portieri Emiliano Martínez kontrolloi gjithçka pa probleme.
Në fund, në minutën e 89-të, erdhi edhe goli i katërt për anglezët. Kapiteni Ezri Konsa shënoi pas një goditjeje nga këndi, duke vulosur rezultatin 4-0 dhe kualifikimin e pastër të Aston Villa-s në gjysmëfinale, ndërsa Bologna u eliminua pas një ndeshjeje ku golat e pësuar vendosën gjithçka që në pjesën e parë.
Avancoi në gjysmëfinala Braga, që mposhti në transfertë 4-2 Betisin, si dhe Nottinghami, që iu imponua 1-0 Portos, teksa ndeshja e parë ishte mbyllur 1-1.