Menaxheri i të ndjerit Manninger: Nuk e kuptoj, ai kontrollonte 200 herë para se të kalonte rrugën
Tragjedia që i mori jetën ish-portierit austriak, Alexander Manninger ka tronditur botën e futbollit, ndërsa detaje të reja kanë dalë në dritë mbi aksidentin fatal.
Sipas raportimeve, Manninger u përplas nga një tren në një kalim hekurudhor të pambrojtur pranë stacionit Pabing, rreth orës 08:20 të mëngjesit. Pavarësisht përpjekjeve të menjëhershme për ta shpëtuar, përfshirë edhe përdorimin e defibrilatorit, ndërhyrjet rezultuan të pasuksesshme.
Mesazhe prekëse kanë ardhur nga njerëz që e kanë njohur nga afër. Ish-menaxheri i tij, Franco Granello, ka reaguar me dhimbje të madhe, duke kujtuar jo vetëm profesionistin, por edhe njeriun.
“Humbja e Alex-it më shkatërron. Kemi punuar bashkë për 15 vite. Ishte e kundërta e futbollistit tipik të sotëm: i përpiktë, serioz, korrekt dhe jashtëzakonisht profesionist. Një djalë i mrekullueshëm. Nuk mund ta besoj,” u shpreh ai.
Granello theksoi edhe kujdesin e madh që Manninger kishte në jetën e përditshme: “Nuk arrij ta kuptoj… ishte një person që para se të kalonte rrugën shikonte djathtas e majtas 200 herë.”
Humbja e ish-portierit të skuadrave si Juventus, Fiorentina dhe Siena ka lënë një boshllëk të madh, ndërsa kujtimi i tij mbetet i lidhur me profesionalizmin dhe karakterin e tij shembullor.