Messi ka mbetur pa trajner, Beckham: Situatë e vështirë, por këto gjëra ndodhin në futboll

Inter Miami po kalon një moment të vështirë pas largimit të trajnerit Javier Mascherano, i cili ka dhënë dorëheqjen për arsye personale. Në krye të ekipit, përkohësisht, është vendosur drejtori sportiv, Guillermo Hoyos.

Bashkëpronari dhe presidenti i klubit, David Beckham, ka komentuar situatën duke pranuar se momenti është delikat, por duke bërë thirrje për qetësi dhe stabilitet. “Pas largimit të Javier, situata është pa dyshim e vështirë. Ai është një person i jashtëzakonshëm dhe një trajner shumë i mirë, lojtarët e donin shumë, por këto gjëra ndodhin në futboll dhe duhet të vazhdojmë përpara,” u shpreh Beckham.

Ai shtoi se klubi do të kërkojë një trajner të ri në të ardhmen, por, për momentin, prioritet është stabilizimi i situatës. “Duhet të gjejmë një trajner në një moment të caktuar, por tani duhet t’i lëmë gjërat të qetësohen,” theksoi ai.

Mascherano largohet pas rreth një viti e gjysmë në krye të skuadrës, periudhë në të cilën arriti të fitojë titullin e parë në MLS Cup 2025 dhe të çojë ekipin në finale të Leagues Cup dhe në gjysmëfinale të Concacaf Champions Cup.

Aktualisht, Inter Miami renditet në vendin e tretë në Konferencën Lindore, por është eliminuar nga Nashville SC në Concacaf Champions Cup.

Ndërkohë, trajneri i përkohshëm, Hoyos, është shprehur i gatshëm të ndihmojë klubin në çdo rol: “Jam në shërbim të klubit. Disa ditë më parë kisha një rol tjetër, tani jam këtu për çdo gjë që nevojitet.”

Debutimi i tij në stol pritet të vijë në fundjavë, në ndeshjen në transfertë ndaj Colorado Rapids.