Plagosja e rëndë e tre personave në Bulqizë, pezullohen dy punonjës policie në Dibër

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Kukës-Dibër) ka ekzekutuar urdhrin e Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër për caktimin e masave të sigurimit personal ndaj dy efektivëve të policisë, të dyshuar për ‘shpërdorim detyre’.

Bëhet fjalë për dy inspektorë me inicialet D. S., njëri me detyrë në Trupën e Shërbimit të Trafikut Urban dhe Interurban, pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër, dhe tjetri në Trupën e Shërbimit të Rendit Publik në Komisariatin e Policisë Bulqizë, po në varësi të DVP Dibër.

Me vendim të organit të akuzës janë caktuar ndaj tyre masat e sigurimit ‘pezullim i ushtrimit të një detyre apo shërbimi publik’ dhe ‘ndalim i daljes jashtë shtetit’, të parashikuara nga nenet përkatëse të Kodit të Procedurës Penale.

Hetimi lidhet me një ngjarje të ndodhur më 10 mars 2026 në qytetin e Bulqizë, ku mbetën të plagosur rëndë tre shtetas. Sipas rezultateve të deritanishme të hetimeve, dy punonjësit e policisë dyshohet se nuk kanë përmbushur detyrimet funksionale në zbatim të ligjit ‘Për Policinë e Shtetit’, çka ka sjellë pasoja të rënda.

Veprimet hetimore vijojnë për të dokumentuar plotësisht rrethanat e ngjarjes, si dhe për të identifikuar çdo person tjetër të mundshëm të përfshirë në këtë çështje.