Nesta ngre alarmin për futbollin italian: Të huajt janë justifikim, problemi është te akademitë
Ish-mbrojtësi i Milani dhe Kombëtares së Italisë, Alessandro Nesta, ka folur hapur për krizën që po kalon futbolli italian, duke theksuar se problemi nuk qëndron te lojtarët e huaj, por te struktura e të rinjve.
Në një intervistë për “Cronache di Spogliatoio”, Nesta u shpreh i shqetësuar për gjendjen aktuale të futbollit në Itali. “Jam i shqetësuar për futbollin italian. Të huajt nuk i marrin vendin askujt. Kur isha i ri unë, kishte lojtarë si Stam, Samuel, Blanc, Thuram… ata mund të të merrnin vendin. Sot shumë prej tyre duhet t’i kërkosh, as nuk i njeh,” tha ai.
Sipas tij, ideja se të huajt po pengojnë zhvillimin e lojtarëve italianë është thjesht një justifikim. “Është një alibi. Duhet të vëmë në diskutim sektorin e të rinjve. Më parë, të huajt e pasuronin Serie A. Pse nuk kemi më Del Piero, Totti, Pirlo apo Vieri?”, shtoi ai.
Nesta theksoi se problemi kryesor është ndryshimi i mënyrës së formimit të lojtarëve të rinj. Sipas tij, akademitë janë larguar nga zhvillimi natyral i talentit dhe janë fokusuar në modele të huazuara nga jashtë. “Sektori i të rinjve ka ndryshuar, kemi kopjuar gjëra që nuk na përkasin. Duhet një reformë e thellë,” u shpreh ai.
Duke folur për mënyrën se si do ta reformonte futbollin e moshave, Nesta ishte i prerë: “Derisa të mbushin 12 vjeç, fëmijët nuk duhet të mësojnë fare taktikë. Talenti zhvillohet duke dribluar, duke vrapuar dhe duke zgjidhur situata vetë.”
Ai kritikoi edhe sistemin e lojës së hershme taktike në akademi: “Fëmijët bëjnë ndërtim loje nga mbrapa në moshën 8 vjeç, por askush nuk driblon më. Luajmë me tre mbrojtës sepse nuk ka anësorë, apo nuk ka anësorë sepse luajmë me tre? Për mua është e para.”
Deklaratat e Nestas kanë hapur sërish debatin mbi të ardhmen e futbollit italian dhe mënyrën se si po formohen gjeneratat e reja në akademitë e vendit.