Himçi: 727 milionë lekë për 'stresin' e OSHEE-së, ndërsa qytetarët mbeten në errësirë dhe qeveria zhyt vendin në borxhe

Gjatë fjalës së tij në Kuvend, deputeti i PD-së Bledi Himçi u shpreh se qeveria po vijon të rrisë borxhin publik, ndërkohë që menaxhimi i financave publike dhe i sektorit energjetik karakterizohet nga shpërdorime dhe mungesë transparence.

Ai denoncoi një tender të OSHEE-së prej 727 milionë lekësh për trajnime anti-stres, duke e cilësuar atë si simbol të keqmenaxhimit të fondeve publike, ndërsa theksoi se në të njëjtën kohë qytetarët përballen me shërbim të dobët dhe ndërprerje të energjisë elektrike në shumë zona të vendit.

Sipas tij, marrëveshja e re e financimit për rrjetin energjetik shoqërohet me mungesë projektesh konkrete, afate të zgjatura dhe pikëpyetje serioze për transparencën, duke ngritur shqetësime për rritjen e borxhit pa efekte të shpejta në përmirësimin e jetës së qytetarëve.

Fjala e plotë:

Të nderuar kolegë, të nderuar qytetarë, sot jemi për të ratifikuar një marrëveshje financimi për një vlerë prej 35 milionë eurosh me Cassa Depositi e Prestiti, për përmirësimin e rrjetit të transmetimit të energjisë elektrike në veri të vendit, pas tërmetit të vitit 2019. Sigurisht, opozita është pro çdo investimi në aspektin e energjisë elektrike.

Atëherë, zonja kryetare, e kuptoj që gjithmonë opozita i ka fajet, por realisht kërkoj që të rrini në lartësinë e detyrës që keni. Opozita sigurisht mbështet çdo investim të nevojshëm për sektorin energjetik. Por ne nuk mund të pranojmë modelin e një qeverie që e ka kthyer huamarrjen në model mbijetese, duke e zhytur Shqipërinë çdo ditë e më shumë në borxhe, ndërkohë që financat publike keqmenaxhohen dhe shpërdorohen haptazi.

Po ju vë në dukje qytetarëve shqiptarë një tender prej 727 milionë lekësh, që OSHEE-ja e ka përdorur për trajnimin e punonjësve për uljen e stresit të tyre. 727 milionë lekë. Prandaj, kjo është situata në të cilën, nga njëra anë kërkohet huamarrje financiare dhe nga ana tjetër shpërdorohen lekët e OSHEE-së për uljen e stresit të punonjësve. Dhe ky është paradoksi më i madh që mund t’i ndodhë një vendi kaq të varfër.

Ju flisni dhe krenoheni dhe mbani gjoksin për faktin që OSHEE-ja ka rritur në mënyrë efikase të ardhurat e saj. Po pse nuk i përdor për investime? Pse duhet marrë hua financiare? Ky është problemi.

Ndërkohë, sot, për këtë miratim të kësaj marrëveshjeje, shohim një mungesë serioziteti. Dhe pse e shohim këtë mungesë serioziteti? Sepse në relacion nuk kemi një projekt të detajuar se për çfarë do të investohen këto para. Thuhet se do të duhet një vit, sipas relacionit, për të bërë projektin e këtij investimi. Një vit. Pra, në 2027–2028 qeveria do të merret vetëm me projektin e detajuar.

Të vazhdojmë më tej. Kur fillon investimi? Fillon në vitin 2028. Po kur përfundon? E pyeta zëvendësministren në komision dhe u tha: në vitin 2033. Pra, kërkohen pesë vjet për këtë investim.

Po ç’vlerë ka huamarrja në këtë rast? Sepse ne marrim hua për t’i kthyer në të mira dhe shërbime për qytetarët sa më shpejt. Ne presim tetë vite për përfundimin e këtij investimi. Kjo, në këndvështrimin tim, është e patolerueshme.

Kur e pyetëm zëvendësministren se sa mund të zgjasë projekti, ajo, në përgjegjësinë e saj zyrtare, tha tre vjet. Atëherë, dy vitet e tjera pse? Ndërkohë në relacion është shënuar 2033-shi si përfundim i investimit. Kjo është situata për të cilën ky draft që kërkohet të ratifikohet sot, pretendohet se është hua e butë — dhe po, është hua e butë — por sjell shqetësime dhe pikëpyetje të mëdha, si në aspektin e transparencës, ashtu edhe në atë të llogaridhënies, duke krijuar edhe hapësira për çështje korrupsioni.

Doja të ndalesha edhe në një moment tjetër. Në zonat rurale situata është vërtet skandaloze. Në zonat e thella rurale kemi ndërprerje të energjisë elektrike për periudha të caktuara. Në bregdet, kur fokusi i gjithë qeverisë është turizmi, gjatë gjithë vitit të kaluar ka pasur ndërprerje të energjisë elektrike me orë të tëra, gjë që nuk na nderon, por na turpëron para turistëve të huaj.

Ndalemi në një moment tjetër të rëndësishëm, si deputet i qarkut të Elbasanit. Cila është situata? Po ju marr një sërë njësish administrative, pjesë edhe e projekteve të 101 fshatrave për zhvillimin e turizmit. Po ju marr njësinë administrative Zavalinë, Gjinar, Funar, që ka edhe një projekt për turizmin, si dhe Labinot Mal. Në të gjitha këto kemi ndërprerje sistematike dhe periodike të energjisë elektrike. Edhe Graceni po ashtu, një situatë tjetër skandaloze. Asgjë nuk është vënë në dorë.

Në njësinë administrative të Gramshit, në Kotovjat, Tunjë, Skënderbegas, kemi mungesa të energjisë elektrike për periudha të caktuara në mënyrë të përditshme. Po kështu edhe në Librazhd apo në Prrenjas, në njësitë administrative Stravaj, Qukës, si dhe në zona të tjera si Stërbleva, Lunik dhe Stravaj, këto vazhdojnë të kenë problematika të thelluara.

Një pjesë e këtyre zonave apo qendrave administrative kanë fokus turizmin malor. Si mund të investohet në biznesin e vogël kur ka ndërprerje të energjisë elektrike për periudha të gjata, që sjellin dëme si për të ardhurat e atij biznesi, ashtu edhe për të ardhurat e gjithë zonës?

Ndaj është shumë e rëndësishme që Shqipëria të ketë një sistem energjetik efikas, të sigurt dhe pa ndërprerje sporadike, që të garantojë kushte të mira për familjet dhe të forcojë turizmin si shtyllë të zhvillimit ekonomik. Ky është momenti për të thënë me zë të lartë: mjaft me borxhe, mjaft me abuzime dhe mjaft me premtime boshe. Qytetarët meritojnë dritë, siguri dhe zhvillim, jo errësirë dhe borxhe pa fund.