Nga tenderi i qenve, TEC-et, te banesat e tërmetit që u jepen patronazhistëve –Balliu akuza qeverisë

Në një seancë të tensionuar parlamentare, ligjvëësi i PD, Klevis Balliu lëshoi një sërë  akuzash ndaj qeverisë, duke e akuzuar për paaftësi në menaxhimin e pasojave të tërmetit të vitit 2019, korrupsion galopant në procesin e rindërtimit dhe abuzime me fondet publike.

Nga foltorja e Kuvendit, Balliu tha se qeveria ishte paralajmëruar për rrezikun e tërmetit që në korrik të 2019-ës, por kishte dështuar të merrte masa. Sipas tij, Ministria e Mbrojtjes kishte garantuar në një përgjigje zyrtare ndaj Presidencës se i kishte të gjitha kapacitetet për të përballuar një fatkeqësi të tillë, por realiteti provoi të kundërtën. “Ju s’kishit as qentë për të shkuar atje. Edhe tenderin e qenve e kishit vjedhur,” u shpreh Balliu.

Procesi i rindërtimit u cilësua si një aferë korruptive, ku banesat nuk u shpërndahen familjeve të prekura, por miqve dhe patronazhistëve të pushtetit. “Atje ku ka tragjedi, ju shikoni mundësinë për përfitime financiare dhe elektorale,” theksoi ai.

Balliu vuri në dukje edhe skandale të tjera, përfshirë çështjen e njohur si “Tigri Një dhe Tigri dy”, duke akuzuar drejtpërdrejt ish ministren Belinda Balluku për keqmenaxhim të miliona eurove dhe duke kërkuar llogaridhënie prej saj në Parlament. Mungesa e përgjegjësisë u shtri edhe në fushën e infrastrukturës, ku u përmend shembja e një segmenti të Unazës së Re vetëm gjashtë muaj pas inaugurimit, një projekt me kosto prej 25 milionë euro për kilometër.

Ju a paralajmëroi në datën 29 korrik të 2019-ës. Dhe tërmeti ra në 26 nëntor. Tërmeti i dytë. I pari të ra në shtator zotëri. Dhe në vend të kërkoni ndjesë, vazhdoni dhe qeshni. Dhe çfarë ka ndodhur? Një gjë që ju nuk e mohoni dot. Presidenti i Republikës ka çuar një dokument konkret Ministrisë së Mbrojtjes, e cila ka kthyer përgjigje. Pyetja e presidencës ishte, a kemi ne resurset të mjaftueshme për të përballuar një tërmet? Dhe përgjigja e Ministrisë së Mbrojtjes ishte që i kemi të gjitha mundësitë për të përballuar çfarëdo lloj tërmeti. Dhe çfarë ndodhi, ju s'kishit as qentë për të shkuar atje. Edhe tenderin e qenve e kishit vjedhur. Dhe personi që i është marrë me tenderin, u arrestua. U arrestua. As, edhe tenderin e qenve nuk e kishit lënë në Ministrinë e Mbrojtjes.

Kjo është e vërteta e rindërtimit. A është e vërtetë sot që xhabatët po kontrollojnë në zonën e Vorës se kush merr shtëpia dhe kush nuk merr shtëpia? A është e vërtetë që keni sot në prokurori qytetarë të cilët janë atje në gjyq, sepse në shtëpitë e tyre ka shkuar dikush që s'është prekur fare nga tërmeti. Që keni bërë qoka me ato shtëpia. Ja u keni dhënë patronazhistëve tuaj, ja u keni dhënë miqve tuaj, ndërkohë që qytetarët janë sot akoma në qiell të hapur, përfshirë banorët e Kombinatit. Përfshirë banorët e Vorës, përfshirë banorët e Durrësit. Dhe ju zgërdhiheni prapë këtu. Se nuk ju intereson. Ju atje ku ka tragjedi, ju shikoni mundësinë për përfitime financiare. Shikoni mundësinë për përfitime elektorale. Çfarë vlere ka të vish dhe të diskutosh këtu? Kur kishim ministrin këtu që mohonte sy më sy një nga vjedhjet më monstruoze. Tigri Një dhe Tigri Tre i Lubisë. Që po t'i blejë kushtonin 15 milionë euro, por jo. Ju do e bënit në një formë tjetër. 60.000 euro dita, ju shkoi 60 milionë euro. Dhe janë ndezur një ditë apo dy ditë. Kush mban përgjegjësi për ato para? Do ja kthejë njeri qytetarëve shqiptarë ato para? Zero lekë dhe zero përgjegjësi.

Ku është sot Belinda Balluku që të vijë të mbajë përgjegjësi? Që nuk shkel në parlament. Që nuk vjen të vijë të mbrojë veten, se qartazi nuk e mbroni më, nuk e mbroni dot më ju. Pse nuk vjen sot të japë përgjigje ajo? Ç'di ky këtu për këto punë? Këto i ka bërë ajo. Ky s'ka ça të japë llogari. Ky s'di për çfarë të japë llogari përpara me të gjitha horlliqet që janë bërë në atë ministri. Po mos folur për rrugët, infrastrukturën. Shikoni pak unazën, e keni inauguruar gjashtë muaj më përpara. Dhe kur shkon për t'u kthyer te Fresku, është shembur rruga, mbas gjashtë muajve. Një tender që ka shkuar 25 milionë euro kilometri prishet mbas gjashtë muajve. Kush mban përgjegjësi? A do i jepni një cent mbrapsht shqiptarëve që i kanë paguar me taksat e veta? Taksa që i keni rritur ju, që janë taksat më të larta në rajon. Prandaj kemi kilometrin më të lartë në rajon. Prandaj e blejmë energjinë më të lartë në rajon. A nuk është kjo qeveri e cila ka blerë energji me çmim të lartë dhe e ka shitur me çmim të ulët? A nuk jeni ju? Apo e ka fajin opozita që vidhni ju? Dhe ju nuk mbani përgjegjësi. Po më e turpshmja nga të gjitha është minimalja, nuk përfshij, nuk them që e keni fajin ju, apo e keni bërë ju si deputet, një apo dy, unë nuk di të them që e ka filan deputet. Por që ky grup parlamentar të vijë këtu dhe të justifikojë krimin që është bërë me rindërtimin dhe mungesa e seriozitetit të qeverisë për të marrë masa pas paralajmërimeve serioze nga institucionet më të larta të shtetit shqiptar, juve minimalisht i detyroheni një ndjesë publike qytetarëve.

Kurse për abuzimet që po bëni dhe do të vazhdoni t'i bëni, se nuk e ndalni dot se e keni në gjak, me lidhje, në lidhje me apartamentet e rindërtimit, ajo do mbetet një çështje për drejtësinë. Dhe ne presim që drejtësia të bëjë detyrën e vet. Por ne kemi detyrën si opozitë t'i denoncojmë. Por në qoftë se ju dilni këtu dhe e mbroni këtë aferë, atëherë ju jeni pjesë e asaj afere. Dhe unë këtu kam një thirrje për qytetarët. Kjo është po e njëjta qeveri që për energjinë elektrike ka arrestuar njerëz për 10.000 ALL. Njëri prej tyre nga Lushnja ka varur veten në qeli. Sepse e arrestuat për 10.000 ALL. Ndërkohë, institucionet shtetërore, a ka ndonjë borxh OSHEE-ja? Sa dhjetëra, qindra miliona euro borxh ka OSHEE-ja për shkak se abuzojnë. Po këto ju nuk ju interesojnë. Sepse ju nuk ju intereson fare se çfarë ndodh me qytetarët, se çfarë ndodh me këtë vend.

Për sa kohë ju keni mundësinë ta mbani pushtetin dhe të mbani jashtë burgut kryetarin tuaj, Edi Rama. Për ju ka zero vlerë interesi i qytetarëve. Për ju ka vlerë vetëm interesi i pushtetit. i mbajtjes së pushtetit me çdo formë dhe me çdo mënyrë. Ndaj nuk ka shumë vlerë të diskutosh këtu. Po vijmë dhe diskutojmë vetëm për hir të kuvendit dhe çfarë përfaqëson kuvendi. Se me një mazhorancë që refuzon të shikojë të vërtetën në sy, me një mazhorancë që mbron krimin, me një mazhorancë që fle me krimin, me një mazhorancë që pastron paratë e krimit, me një mazhorancë që nuk lë asnjë hapësirë dhe asnjë mundësi për askënd që të bëjë detyrën e vet siç i takon me ligj, për një mazhorancë që ngre kartonat për të penguar drejtësinë që të ndalojë Belinda Ballukun dhe Edi Ramën. Për atë mazhorancë nuk ka qytetarë. Për atë mazhorancë është vetëm interesi i pushtetit. Ndaj qytetarëve ju bëj thirrje, nesër të vazhdojmë aksionin në protestë kundër kësaj qeverie. Nuk mundet të pranohet që kjo qeveri të qëndrojë këtu duke vazhduar dhe vazhduar vjedhjet çdo ditë, çdo orë, çdo sekondë, çdo minutë.