'Bujqësia në pikë kritike', Vuksani: Skema e re përjashton 94% të fermerëve dhe rrezikon prodhimin vendas
Fermerët shqiptarë po përballen me një krizë të paprecedentë në fillimin e sezonit të mbjelljeve të pranverës. Një kombinim fatal i kostove të papërballueshme dhe heqjes së mbështetjes nga qeveria po vë në rrezik serioz prodhimin bujqësor kombëtar dhe mbijetesën e mijëra familjeve.
I ftuar në edicionin informativ të lajmeve në Syri TV, Gjok Vuksani, Drejtues i Departamentit të Bujqësisë në PD, u shpreh se bujqësia shqiptare ndodhet në një moment kritik për shkak të politikave të gabuara të qeverisë, të cilat, sipas tij, po çojnë drejt falimentimit fermerët dhe braktisjes së tokës.
Ai theksoi se heqja e skemës së mbështetjes për naftën, e kombinuar me rritjen e ndjeshme të kostove të prodhimit, po e bën të pamundur për shumicën dërrmuese të fermerëve të përballojnë sezonin e mbjelljeve.
Vuksani gjithashtu theksoi se, skema e re e mbështetjes përjashton rreth 94% të fermerëve, duke favorizuar një pakicë dhe duke rrezikuar seriozisht prodhimin vendas dhe sigurinë ushqimore në vend.
Pjesë nga deklarata:
Ajo që thatë edhe ju shumë mirë është rritja e kostos së punimeve. Pra, që në momentin e parë, fermeri është përballë dilemës: ta punojë apo mos ta punojë tokën. Sepse shpenzimi që bëhet, nga të ardhurat personale apo nga një buxhet familjar për të filluar ciklin agronomik të vitit, konkretisht të pranverës, është i lartë. Një fermer dje tha, me shumë të drejtë, që kostoja e një hektari, me punime, mbjellje dhe shërbime, është rreth 2.5 milionë lekë të vjetra.
Po, jemi fiks në periudhën e pikut të mbjelljes së pranverës. Ky është momenti më i rëndësishëm i bujqësisë në këtë periudhë. Pra, duhen rreth 2.5 milionë lekë të vjetra për ta çuar deri në korrje prodhimin. Pyetja është: a ia vlen? A ka një kulturë që sjell më shumë se 2.5 milionë lekë të vjetra për hektar? Prandaj është shumë i rëndësishëm diskutimi për naftën, që është një input bujqësor, për plehrat, farat, pesticidet e kështu me radhë, si edhe për ushqyesit e bimës. Pra, ne jemi në një sezon, në një moment, ku përcaktohet pothuajse i gjithë prodhimi bujqësor i vitit 2026. Dhe në kulmin e këtij aktiviteti bujqësor, qeveria shqiptare heq skemën e mbështetjes për naftën. Duket sikur një mendje diabolike është futur në këtë moment për ta lënë tokën djerrë. Sepse rreziku më i madh është që toka të mos punohet, të mos kemi prodhim “Made in Albania” dhe të shkojmë drejt lënies djerrë të tokave. Ka zona të caktuara ku kjo mund të arrijë deri në 80% të sipërfaqes.
Dhe të vijmë te diskutimi tjetër. Po bëhet një debat i madh nëse skema e naftës është apo nuk është një skemë europiane. Duhet theksuar që skemat mbështetëse të Bashkimit Europian janë për sipërfaqe, për kokë, pra për njësi, jo për njësi prodhimi. Skema e naftës shkon në të njëjtin drejtim me këto skema, sepse është për njësi sipërfaqeje. Pra, qeveria shqiptare këto pesë vite ka dhënë një sasi nafte për njësi sipërfaqeje. Pastaj e ka diversifikuar: nëse është foragjere, bimë arash apo perime, ka pasur nivele të ndryshme mbështetjeje me naftë.
Duhet thënë edhe diçka që është e rëndësishme për fermerët. Skema e mbështetjes për naftën për vitin 2025 ka mbuluar rreth 50.000 fermerë. Të gjitha skemat e tjera, të marra së bashku, kanë mbuluar rreth 15.000. Pra, nuk është se është lëvizur shumë në këtë drejtim. Janë mbi dy të tretat e fermerëve shqiptarë që kanë përfituar nga mbështetja për naftën. Dhe kjo është një masë konkrete, direkte për të ulur koston e prodhimit, pra për ta bërë të mundur punimin e tokës.
Konkluzioni sot është që toka nuk punohet me naftë 210 lekë për litër. Traktori nuk punon, nuk ka efikasitet dhe nuk ka leverdi ekonomike për fermerin me këtë çmim. Të vijmë te diskutimi tjetër, ku thuhet se po bëhet një kompensim i kësaj skeme me skema të tjera. Një skemë që është futur në VKM parashikon mbështetje, por ende nuk ka dalë udhëzimi i përbashkët i Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Bujqësisë për detajet, dhe dihet që shpesh “djalli fshihet te detajet”.
Një nga këto skema që po promovohet është mbështetja me 100.000 lekë të vjetra për hektar për ata që kanë mbi 3 hektarë tokë. Pra, fermat që kultivojnë mbi 3 hektarë do të marrin këtë mbështetje. Kjo ngre një pyetje thelbësore: sipas statistikave të INSTAT-it, vetëm 6% e fermave shqiptare kanë mbi 3 hektarë. Pra, 94% e fermave janë nën këtë nivel. Kjo do të thotë që mbështetja është fokusuar te një grup shumë i vogël, ndërkohë që shumica mbetet jashtë. Madje, një pjesë e këtyre fermave mbi 3 hektarë janë përfituese të tokave me qira nga institucionet shtetërore, pra një kategori më e privilegjuar.
Një tjetër shifër shumë domethënëse: sipërfaqja mesatare e rreth 350.000 fermave është 1.2 hektarë. Pra, kur politika hartohet mbi këtë realitet, vendosja e pragut mbi 3 hektarë e bën skemën pothuajse të paarritshme për shumicën.
Nga ana tjetër, kemi një rritje të madhe të çmimeve të inputeve bujqësore, deri në 30–50%. Për shembull, ureja dhe DAP-i, që janë plehra bazë për bimët e arave, kanë shkuar rreth 100.000 lekë të vjetra për kuintal. Kjo e bën shumë të vështirë përdorimin e tyre në sasinë e duhur për të garantuar prodhimin. Nëse nuk përdoren, prodhimi mbetet i cunguar dhe nuk mbulon as shpenzimet, jo më të sjellë fitim.
Pra, inputet bujqësore janë rritur ndjeshëm, si pasojë e konjukturës së tregut, por edhe sepse në tregun shqiptar ka pasur një lloj abuzimi nga importuesit, duke përfituar nga situata. Një pjesë e madhe e këtyre produkteve importohen nga Turqia, Greqia dhe Tunizia.