Al Hilal privatizohet, ndryshime të mëdha në futbollin saudit
Klubi saudit, Al Hilal, nuk do të jetë më nën kontrollin e fondit publik, pasi Public Investment Fund (PIF) ka njoftuar zyrtarisht shitjen e 70% të aksioneve të tij. Pronësia e klubit kalon tashmë te Kingdom Holding Company, fond privat në pronësi të princit Al Waleed bin Talal Al Saud.
Marrëveshja mes palëve është finalizuar dhe shënon një hap të rëndësishëm drejt privatizimit të futbollit në Arabinë Saudite. Sipas PIF, kjo lëvizje është pjesë e një strategjie më të gjerë për të maksimizuar fitimet dhe për të riinvestuar në ekonomi, duke synuar një ndikim transformues në sektorin sportiv të vendit.
Al Hilal bëhet kështu klubi i parë nga “gjigantët” sauditë që kalon në duar private. Vlera e kapitalit të klubit vlerësohet të jetë rreth 317 milionë euro.
Deri në vitin 2023, Public Investment Fund zotëronte 75% të aksioneve të katër klubeve kryesore: Al Hilal, Al Nassr, Al Ittihad dhe Al Ahli. Megjithatë, raportimet tregojnë se edhe këto klube pritet të ndjekin të njëjtin model në vitet e ardhshme.
Sipas gazetarit anglez, Ben Jacobs, një zhvillim interesant lidhet me Al Nassr, i cili synon të përfshijë Cristiano Ronaldo si aksionar në klub. Kapiteni portugez ka treguar tashmë interes në investime sportive, pasi ka blerë 25% të aksioneve të Almería.
Këto zhvillime sinjalizojnë një epokë të re për futbollin saudit, ku privatizimi dhe investimet strategjike pritet të rrisin konkurrueshmërinë dhe ndikimin ndërkombëtar të ligës.