SYRI TV/ 20 familje të Kodër Zgjup prej 6 vitesh pa banesa, banorët protestojnë tek Ministria e Infrastrukturës

Prej 6 vitesh rreth 20 familje të fshatit Kodër Zgjup të Gramshit janë pa strehë pasi banesat e tyre u dëmtuan nga ndërtimi i hidrocentralit të Banjës. Banorët protestuan këtë të enjte para ministrisë së Infrastrukturës ndërsa një grup i tyre u mblodhën para bashkisë së Gramshit. Ata denoncuan për selektivitet, ndërsa theksuan se institucionet po i zvarrisin me mashtrime. Për situatën e tyre është në dijeni edhe kryeministri Rama por pa dhënë asnjë zgjidhje.

Syri TV

Banorët e fshatit Kodër Zgjup në Gramsh protestuan këtë te enjte para Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, duke kërkuar dëmshpërblim për banesat e dëmtuara pasi që prej ndërtimit të hidrocentralit,banesat dhe zona e fshatit të tyre u kthye e pa banueshme si pasojë e rrëshqitjeve të vazhdueshme të tokës. Prej 6 vitesh 20 familje jetojnë me qira ndërsa shtojnë se u kanë premtuar se do përfitojnë banesat por po zvarriten nëpër dyert e institucioneve pa asnjë zgjidhje.

Ata fajësojnë ish-ministren Belinda Balluku dhe ish-kryetaren e bashkisë Gramsh, Luljeta Dollani, duke thënë se çështja i është bërë e ditur edhe kryeministrit, por ende nuk ka zgjidhje.

Në mbështetje të tyre ishte edhe ambientalisti Sazan Guri, i cili kërkoi masa për dëmshpërblimin e familjeve.

Paralelisht një grup tjetër të banorëve të dëmtuar kanë protestuar këtë të enjte para bashkisë së Gramshit ku kërkuan dëmshpërblimin e banesave të tyre.