SYRI TV/ Shtrenjtimi i naftës, linjat interurbane pritet të rrisin çmimin e biletës
Rritje të çmimit të biletës dhe pakësim të flotës. Këto janë paralajmërimet që janë bërë nga shoqëri interurbane dhe drejtues mjetesh në Korçë, Vlorë, Fier, Elbasan. E teksa ata i kërkojnë qeverisë të marrë masa për subvencionime për shkak te rritjes së çmimit të naftës, nga ana tjetër qytetarët deklarojnë se një rritje të çmimit të biletës rëndon ekonominë e familjes së tyre, pasi janë të detyruar të udhëtojnë për të shkuar në spitale.
Syri TV
Teksa Tirana është në kaos për shkak të transportit publik që është reduktuar, duket se kjo situatë do të transferohet edhe në qytete të tjera. Shkak është rritja e çmimit të naftës që ka sjellë një situatë të vështirë, ku shoferët paralajmërojë për rritje të çmimit të naftës dhe shoqëritë e linjave reduktim të flotës, nga ana tjetër qytetarët kërkojnë ndërhyrjen e qeverisë pasi nuk mund të përballojnë çmimet e rritjes së biletave.
Në Korçë, rritja e çmimit të naftës ka ndikuar drejtpërdrejt në kostot e operimit, duke ulur ndjeshëm fitimet dhe duke vënë në pikëpyetje vijimësinë e aktivitetit nëse kushtet mbeten të njëjta. Ndërkohë që rritja e çmimit të biletës është bërë vetëm për linjën e Tiranës, nga 700 lekë që ishte ka shkuar në 800 lekë të rinj. Sipas tyre ata nuk marrin as kompesime nga shteti duke e çuar situatën drejt falimentimit. Nga ana tjetër pensionistët thonë se detyrohen të lëvizin për shkaqe shëndetësore në Tiranë.
Në Elbasan shoferët shprehen se deri më tani janë detyruar që çmimin ta mbajnë të njëjtë, por po shtojnë para nga xhepi i tyre. Teksa pasagjerët ankohen se nuk kanë mundësi. Ndërkohë që nëse nuk merren masa shoferët thonë se janë drejt falimentimi.
Në Fier, drejtuesit e mjeteve interurbane paralajmërojnë rritje të çmimit të biletës nëse qeveria nuk merr masa. Administratorë të shoqërive që operojnë në këto linja kanë zhvilluar negociata mes sindikatës dhe përfaqësuesve të shoqërive të transportit në Tiranë, ndërsa ky regjim i çmimeve dhe i numrit të mjeteve do të vazhdojë deri në fund të muajit prill.
Në Vlorë rritja e vazhdueshme e çmimit të naftës po ushtron presion mbi sektorin e transportit publik në qytetin e Vlorës, duke ngritur shqetësime për kostot dhe qëndrueshmërinë e shërbimit për qytetarët. Situata paraqitet e vështirë për transportin interurban ku paralajmërojnë rritje të çmimit të biletës nëse kjo situatë do të vijojë.
Rritja e çmimit të naftës në vend ka rritur kostot për familjet shqiptare, ku përveç transportit edhe shporta e ushqimit ka pësuar rritje duke goditur ekonominë familjare të shqiptarëve.