Tragjedi në Malishevë/ Banesa përfshihet nga flakët, humb jetën babai me dy djemtë e mitur
Tre persona kanë humbur jetën si pasojë e një zjarri që ka përfshirë një banesë në lagjen “Mirëdita” në Malishevë. Ngjarja e rëndë është raportuar rreth orës 12:55, ndërsa në vendin e ngjarjes kanë ndërhyrë menjëherë policia, zjarrfikësit dhe ekipet emergjente.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj, bëri të ditur se në banesë janë gjetur tre viktima të gjinisë mashkullore, një i rritur dhe dy fëmijë, të cilët janë transportuar në Qendrën e Mjekësisë Familjare, ku është konstatuar se ishin pa shenja jete.
“Kemi tre viktima: babai 35-vjeçar dhe dy fëmijët e tij të moshës 9 dhe 12 vjeç”, deklaroi drejtori i Policisë për Rajonin e Gjakovës, Lumni Graishta.
Zjarri është vënë nën kontroll, ndërsa autoritetet konfirmojnë se nuk ka pasoja të tjera. Për rastin është njoftuar prokurori i shtetit dhe hetimet vijojnë për të zbardhur shkaqet e kësaj tragjedie.