Krahasimi i duhur/ Ja pse qëllimet e Trump në Iran kanë qenë gjithmonë të qarta
Nga Douglas Murray, SPECTATOR
Bombardimi i qeverisë revolucionare në Iran po krahasohet me luftën në Irak. Por këto krahasime po bëhen me luftën e gabuar.
Në vitin 1981 pati një sulm ndaj Irakut, që i ngjan shumë më tepër asaj që Donald Trump po përpiqet të arrijë në Iran. Historia fillon në vitin 1976, kur qeveria e Jacques Chirac në Francë i shiti Irakut një reaktor bërthamor – një marrëveshje për të cilën francezët kanë arritur gjithmonë të shmangin shumë kritika. Francezët i kërkuan qeverisë irakiane dyfishin e çmimit të tregut. Por, siç kujtonte më vonë një nga anëtarët e ekipit bërthamor irakian: “Ne ishim të lumtur të paguanim. Në fund të fundit, kush tjetër do të na shiste një reaktor bërthamor?” Vërtet, kush?
Pasi Saddam Hussein erdhi në pushtet, ai investoi burime të mëdha në kompleksin bërthamor në Osirak, në garën për t’u bërë i pari që zotëronte një “bombë arabe”. Ai e rrethoi këtë objekt me bateri kundërajrore dhe deri në vitin 1981 ishte shumë pranë realizimit të ëndrrës së tij. Pikërisht për këtë arsye, më 7 qershor 1981, qeveria e Menachem Begin në Izrael dërgoi avionë për të shkatërruar reaktorin. Tetë avionë F-16 të forcave ajrore izraelite goditën gjatë orës së ngrënies, kur pozicionet kundërajrore ishin të pambrojtura. Ata goditën objektivin dhe shkatërruan reaktorin bërthamor irakian në më pak se dy minuta.
Natyrisht, reagimi ndërkombëtar ishte i menjëhershëm. Qeveri të huaja dhe media e dënuan veprimin izraelit si “të paprovokuar” dhe tinëzar.
OKB zhvilloi disa seanca për të dënuar Izraelin për privimin e Saddamit nga reaktori i tij bërthamor. Edhe qeveria amerikane e asaj kohe e dënoi Izraelin. Por pati një “epilog” interesant pas pushtimit të Kuvajtit nga Saddam Hussein në vitin 1990. Po të kishte pasur armë bërthamore në atë kohë, jo vetëm që lufta Iran-Irak e asaj dekade do të kishte marrë një drejtim krejt tjetër, por do ishte e pamundur që një forcë ndërkombëtare të guxonte të dëbonte trupat irakiane nga Kuvajti. Siç u shpreh sekretari amerikan i mbrojtjes ndaj izraelitëve, me një nënvlerësim të lehtë, pas çlirimit të Kuvajtit, duke iu referuar shkatërrimit të reaktorit të Osirakut nëntë vite më parë: “Na e bëtë punën më të lehtë”.
E përmend këtë pjesë historie sepse aktualisht ka shumë diskutime për mundësinë që Amerika të ngecë në Iran në të njëjtën mënyrë siç ngeci në Irak pas vitit 2003. Është e vështirë të mbivlerësohet sa shumë po nxitet kjo narrativë nga disa qarqe në SHBA, të cilat mbeten skeptike ndaj ndërhyrjeve ushtarake jashtë vendit pas përvojave në Afganistan dhe Irak.
Ka pasur një periudhë kur ky qëndrim dominohej kryesisht nga e majta amerikane. Gjatë kohës së Barack Obamës, demokratët ishin aq të shqetësuar për të shmangur një situatë me trupa tokësore – për të përdorur klishenë e njohur – në Siri dhe gjetkë, sa vendosën që shumica e problemeve të tyre mund të zgjidheshin thjesht duke dërguar dronë për të eliminuar armiqtë.
Me ardhjen në pushtet të Donald Trump, u bë e qartë se një hezitim i ngjashëm ndaj ndërhyrjeve ushtarake kishte lindur edhe në të djathtën amerikane. Që nga momenti kur ai filloi të garonte për president, e kuptoi se edhe krahu i tij politik ishte po aq i lodhur nga ndërhyrjet jashtë vendit, sidomos ato që ishin të gjata, të kushtueshme në çdo aspekt dhe shpesh konsideroheshin dështime. Ishte Trump ai që theu respektin tradicional të republikanëve ndaj ndërhyrësve – shpesh në mënyrë shumë personale, si në sulmet e tij ndaj George W. Bush dhe John McCain.
Sa herë që Trump kandidoi për president, një pjesë e madhe e platformës së tij ishte se do ta ndalte përfshirjen e Amerikës në “luftëra budallaqe” në Lindjen e Mesme. Ashtu siç Barack Obama kishte zgjeruar programin e dronëve, edhe Trump zhvilloi doktrinën e tij. Vrasja e komandantit iranian Qasem Soleimani në vitin 2020 ishte ndoshta hera e parë që Trump tregoi se mund të eliminonte në mënyrë efektive një armik të SHBA-së dhe të frenonte kundërshtarin nga ndonjë kundërpërgjigje e rëndësishme. Më pas, më herët këtë vit, ushtria amerikane, me urdhër të tij, kreu një operacion të guximshëm në Karakas që solli liderin venezuelas Nicolás Maduro për t’u përballur me drejtësinë në Nju Jork . Kritikët e Trump pretendojnë se suksesi i këtij misioni e ka çuar atë drejt një vetëbesimi të tepruar në lidhje me Iranin.
Por nëse dëgjon atë që presidenti, Sekretari i tij i Shtetit Marco Rubio dhe të tjerë kanë thënë që nga fillimi i këtij operacioni, konfuzioni qëndron tek dëgjuesit, jo tek administrata. Që në fillim, Trump ka dhënë disa arsye për këtë veprim. Por njëra prej tyre është e panegociueshme: Irani nuk duhet të ketë armë bërthamore. Duke qenë se pala iraniane u mburr para ekipit negociator amerikan se ishte vetëm disa javë larg arritjes së kapacitetit bërthamor, nuk është e vështirë të kuptohet pse SHBA zgjodhi këtë moment për të goditur. Fakti që iranianët mësuan nga rasti i Osirakut, dhe i shpërndanë objektet e tyre bërthamore, është arsyeja pse kjo ndërhyrje ka zgjatur më shumë se dy minuta.
Megjithatë, ka shumë “tym” dhe konfuzion të krijuar nga të gjitha anët. Po, në fillim Trump u sugjeroi iranianëve të ngriheshin dhe të rrëzonin regjimin e mullave nëse mundeshin. Vrasja e dhjetëra mijëra njerëzve nga milicitë fetare në janar padyshim që ka pasur ndikim. “Ha ha,” thonë kritikët e Trump. “E sheh – provove ndryshimin e regjimit dhe dështove. Tani do të duhet – edhe një herë – të dërgosh trupa në terren”. Por presidenti është i vendosur të mos bëjë diçka të tillë.
Pa dyshim që ai do të kishte dashur të shihte më shumë opozitë të brendshme ndaj regjimit. Por shpresa që qeveria revolucionare islamike të rrëzohet është politika maksimale. Ndërsa politika minimale është thjesht të sigurohet që, për një të ardhme të parashikueshme, Irani të mos ketë asnjë kapacitet për të zhvilluar armë bërthamore.
Jam disi i habitur nga mjegullimi dhe shtirja si të hutuar që shumë vëzhgues kombëtarë dhe ndërkombëtarë duket se po shfaqin përballë këtij objektivi. “Ai nuk e ka bërë të qartë,” thonë ata vazhdimisht. Por e ka bërë. Qëllimi i luftës së Donald Trump në Iran është vërtet të rikrijojë ndërhyrjen në Irak. Por bëhet fjalë për ndërhyrjen e vitit 1981, jo atë të vitit 2003.