'Na refuzuat dje propozimet, sot i shisni si tuajat'/ Balliu: Mazhoranca po bën teatër me rregulloren e Kuvendit
Seanca plenare e Kuvendit është përfshirë nga debate, kur kryetari i Kuvendit kërkoi bashkëpunim nga grupet parlamentare për të zbatuar rregulloren.
Kjo thirrje solli reagimin edeputetit të opozitës,Klevis Balliu, i cili akuzoi mazhorancën për standarde të dyfishta dhe hipokrizi.
Sipas tij, vetë propozimi procedural i bërë nga drejtuesja e seancës ishte kërkuar më herët nga deputetët opozitarë Luçiano Boçi dhe Bujar Leskaj, por ishte refuzuar nga mazhoranca.
Balliu më tej kritikoi reagimin e qeverisë si të pamjaftueshëm dhe akuzoi se mazhoranca po injoron fatin e shqiptarëve atje, duke anashkaluar edhe kërkesën e deputetes Ina Zhupa për një deklaratë të përbashkët të Kuvendit për këtë problematikë.
Në fjalën e tij, Balliu nuk la pa përmendur as çështjen e diasporës, duke akuzuar se debati për ta ishte lënë qëllimisht natën vonë, si dhe ironizoi shifrat e qeverisë për kthimin e emigrantëve. “Janë kthyer 130 mijë shqiptarë? Nuk ka i madh e i vogël që nuk e di që janë larguar 1.4 milionë,” tha ai.
Balliu:
Kryetar, mirëkuptoj shqetësimin tuaj dhe jam plotësisht dakord. Ka një problem. Kur flet pala tjetër nuk flitet asgjë për procedurë por atyre as nuk i tërhiqet vëmendja. Edhe në rastin konkret nuk mund të pritet që ne mos flasim kur propozimin që sapo dhatë ju e ka bërë në seancën e tretë parlamentare, zoti Luçiano Baçi dhe zoti Bujar Leskaj pikërisht për këtë çështje dhe kjo anë nëpërmjet drejtimit të këtij zotërisë nuk e ka lejuar. Në seancën e tretë, merrni, merrni, bëni zbardhjen e seancës së tretë.
E ka kërkuar Luçiano Boçi dhe Bujar Leskaj. Tani kur ne na vjen, vijemi në këtë pozicion që mashtrohet publikisht, jemi të detyruar të kthejmë përgjigje. Vjen zonja tjetër dhe thotë me gjithë respektin, janë kthyer 130.000 shqiptarë. Nuk ka i madh e i vogël që nuk e di që janë larguar 1.400.000. Si mos të reagojmë ne?
Çfarë procedure do t'i gjejmë kësaj? U ngrit kolegia, foli për të bërë një deklaratë të përbashkët për studentët shqiptarë, për shqiptarët që po u hiqet gjuha dhe tha ministri që kemi bërë një reagim. Por tek ai reagim mungon fakti që ajo qeveri atje po shkel marrëveshjen e Ohrit, që ajo qeveri atje po financohet, promovohet, shtyhet nga falangat serbe atje. Ato falanga serbe me të cilat ne bëjmë artikuj në Berlin. Dhe pastaj diskutojmë këtu se jemi ne antikombëtarët.
Çfarë kërkoi kolegja Zhupa? Të bëhet një deklaratë nga Kuvendi i Shqipërisë dhe të jetë një deklaratë e qartë. Nuk ka nevojë për gjuhë diplomatike kur ke një qeveri e cila të mohon gjuhën. Një të drejtë hyjnore. Çfarë deklarate konference? Ç'lidhje kishte diaspora? Kemi dashur shumë të vinim te diaspora, por 11 e natës unë nuk të kthej përgjigje se ti tregon që tallesh. Dhe të bënim një diskutim ne për diasporën. Unë jam plotësisht dakord që të përmbahemi te procedura, po më thoni ju ose na thoni ju të gjithëve ne, si t'i përmbahemi procedurës kur pala tjetër nuk i përmbahet dhe thotë gjëra të pavërteta. Se ju thashë merrni letrat, dokumentat e juaja, të këtij Kuvendi që ju drejtoni dhe do t'i shikoni propozimet e kolegëve.
Në seancën e fundit, i nderuar kryetar, pasi mbaruan diskutimet për komisionet hetimore, i gjithë ky krah iku në shtëpi, ka mbetur këtu zonja Klodiana Spahiu dhe zoti Mile. Dhe s'kishte, dhe ministrja. Dhe s'kishte asnjë njeri tjetër. Ndërkohë opozitën e kishit këtu duke diskutuar. Ne jemi të interesuar për atë çështje. Doni ta bëni, s'doni ta bëni, dakord, por jo të mashtrohet në këtë formë.