‘BE rrëzoi ligjin për portet turistike’, Bozdo: Cenon konkurrencën, presidenti ta kthejë mbrapsht
Seanca parlamentare është kthyer në një arenë debatesh të ashpra lidhur me ligjin e miratuar së fundmi për portet turistike. Deputeti i Partisë Demokratike, Eno Bozdo, ka akuzuar mazhorancën se ka kaluar një ligj në kundërshtim të hapur me legjislacionin shqiptar dhe direktivat e Bashkimit Evropian.
Nga foltorja e Kuvendit, Bozdo deklaroi se opozita e kishte kundërshtuar ligjin që në fillim, duke kërkuar kthimin e tij mbrapsht, pasi sipas tyre, ai cenon konkurrencën dhe është në shkelje të rregullave të BE-së.
Bozdo i bëri thirrje Kuvendit që t’i kërkojë unanimisht Presidentit të Republikës të mos e dekretojë ligjin dhe ta kthejë atë për rishqyrtim në Parlament. Kjo kërkesë, sipas opozitës, bëhet “për hir të agjendës evropiane dhe kritereve të integrimit”.
Eno Bozdo: Faleminderit zoti kryetar. Dua të ngre dhe unë një çështje e cila ka lidhje besoj unë me kuvendin dhe mbi të gjitha me atë ligj që u miratua në seancën e kaluar nga ky kuvend edhe me kundërshtinë e fortë të opozitës që kishte lidhje me portet turistike.
Ju keni qenë dëshmitarë, thirrja unanime nga deputetët e opozitës, nga ata që morën fjalën, po dhe qëndrimi i deputetëve të opozitës në komisionin parlamentar e ka qenë që ky ligj jo vetëm që nuk duhet të miratohet por duhet të kthehet mbrapsht, sepse është në shkelje të ligjit shqiptar dhe direktivave kryesore për konkurueshmërinë të Bashkimit Evropian. Dhe e patë besoj edhe reagimin e djeshëm shumë të ashpër të Bashkimit Evropian i cili praktikisht me një fjalë tjetër, por në thelb i nxori 100% të vërteta të gjitha qëndrimet e opozitës.
Pra, Bashkimi Evropian e rrëzoi ligjin që ju miratuat me të njëjtat argumenta që opozita dhe deputetët e opozitës e kishin rrëzuar dhe i kishin bërë thirrje këtij kuvendi të mos ta kalonin. Për më tepër, Bashkimi Evropian ju referua dhe ligjit për investitorët strategjikë duke ju thënë që është një ligj i cili është futur në axhendën e reformave për t'u shfuqizuar. E meqënëse këtu ka dashnorë të vërtetë të axhendës së reformave dhe të angazhimeve tona kundrejt Bashkimit Evropian, ja pra ky është argumenti tjetër. Kështu që në qëndrimin tim nuk kam çfarë të them më qartë. Ne i kemi thënë seancën e kaluar fakti që ai ligj dëmton konkurrencën dhe është ligj klientelist. Këtë e tha me gojën e tij Bashkimi Evropian dje në një gjuhë aspak diplomatike.
Është në nderin e këtij kuvendi t'i drejtohet presidentit të Republikës dhe t'i kërkojë unanimisht, për hir të agjendës evropiane dhe për hir të kritereve të integrimit, që mos ta dekretojë dhe t'ia kthejë mbrapsht kuvendit të Shqipërisë atë ligj.