Korçë/ Shërbimi i transportit vijon normalisht, shoferët: Situata po bëhet gjithnjë e më e vështirë
Shoqata e transportit paralajmëroi pak ditë më parë një reduktim të linjave si pasojë e rritjes së çmimeve të karburantit. Megjithatë, nga vëzhgimi në terren në qytetin e Korçës, nuk janë konstatuar ndryshime të dukshme në qarkullimin e linjave urbane dhe ndërurbane.
Edhe pse shërbimi vijon normalisht, drejtues të mjeteve të transportit publik jashtë kamerave shprehen se situata është bërë gjithnjë e më e vështirë. Rritja e çmimit të naftës ka ndikuar drejtpërdrejt në kostot e operimit, duke ulur ndjeshëm fitimet dhe duke vënë në pikëpyetje vijimësinë e aktivitetit nëse kushtet mbeten të njëjta. Sipas tyre ata nuk marrin as kompensime nga shteti duke e çuar situatën drejt falimentimit.
Nga ana tjetër, qytetarët shfaqen të pakënaqur me situatën aktuale. Ata theksojnë se çmimet e karburanteve në Shqipëri mbeten të larta krahasuar me vendet fqinje, duke ndikuar jo vetëm tek transporti publik, por edhe tek kostoja e jetesës në tërësi. Nga ana tjetër pensionistët thonë se detyrohen të lëvizin për shkaqe shëndetësore më Tiranë duke cekur edhe pjesën e çmimit të biletave.
Pavarësisht paralajmërimeve për reduktime, deri tani në Korçë shërbimi i transportit vijon pa ndryshime të dukshme. Megjithatë, operatorët paralajmërojnë se nëse situata me çmimet e karburantit nuk stabilizohet, reduktimi i linjave mund të bëhet i pashmangshëm në të ardhmen.