'Po bëhet korrupsion legjislativ'/ Zhupa: Ligji i ri për portet një 'kostum me porosi' për oligarkët

Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar ndryshime në ligjin për portet turistike, duke u dhënë investitorëve strategjikë mundësinë për t’i ndërtuar dhe zotëruar ato në mënyrë të përhershme.

Ndryshimi përmbys skemën e mëparshme të koncesioneve, ku portet riktheheshin në pronësi shtetërore pas një periudhe të caktuar. Opozita e ka kundërshtuar ashpër këtë ndryshim, duke e cilësuar si një ligj që favorizon një grup të caktuar biznesesh dhe shmang konkurrencën e hapur.

Deputetja Ina Zhupa, e ftuar në emisionin KAFE SHQETO në SYRI TV, deklaroi se portet turistike janë pasuri strategjike që lidhen jo vetëm me ekonominë, por edhe me sigurinë kombëtare dhe menaxhimin e hapësirës bregdetare.

Ajo akuzoi qeverinë se po i trajton këto asete “si pishina private të resorteve”, duke i dhënë ato investitorëve strategjikë pa garë dhe pa procedura transparente. Sipas saj, ligji i ri u jep investitorëve përfitime shtesë, përfshirë tokën publike dhe infrastrukturën, duke i lejuar që brenda një projekti resorti të përfitojnë edhe ndërtimin dhe zotërimin e një porti turistik.

Ajo kritikoi gjithashtu procedurën e përshpejtuar të miratimit në Kuvend, duke theksuar se projektligji u depozitua dhe u votua brenda pak ditësh, me diskutime të kufizuara në komisionet parlamentare. Sipas saj, mungesa e konsultimit publik dhe përfshirjes së grupeve të interesit përbën një problem serioz për transparencën dhe standardet demokratike.

Zhupa:

Kanë vendosur që portet turistike, që në fakt duhet thënë janë, përveç se janë pasuri publike, janë edhe strategjike për sigurinë kombëtare, për menaxhimin e hapësirës bregdetare, për atë që është raportimi edhe me të tretët, jo vetëm me popullin shqiptar edhe me shtetin shqiptar. Këta kanë vendosur që portet t'i trajtojnë si pishinat private të resorteve që i japin investitorëve strategjikë, thënë ndryshe oligarkëve të pranë tyre. Pse e them këtë? Sepse brenda një aplikimi për resortin apo për investimin strategjik që zakonisht merr 1001 përfitime nga shteti, merr tokën publike nga shteti, i çohen të gjithë fasilitetet e ujit, të dritave, të rrugëve edhe gjithçka tjetër atje.

Tani merr edhe një dhuratë ekstra që është porti për resortin. Pra resorti siç merr të drejtën për të ndërtuar një pishinë, për të ndërtuar një sauna, për të ndërtuar një parking, merr në të njëjtën paketë edhe të drejtën për portin turistik. Deri më sot nuk i ka ndaluar njeri investitorët strategjikë që të aplikonin për porte, që të merrnin porte, siç kanë marrë, se është marrë porti për shembull nga Marina në Vlorë, ka marrë port, nëpërmjet procedurave ligjore të koncesionit, që edhe atje në shumicën e rasteve e fitonte investitori strategjik, sepse mund të kishte pasur më shumë, po them kritere dhe nuk futej njeri zakonisht, nuk futej njeri për të marrë një portë. Por çfarë duan të bëjnë këta? Tani këta duan ta japin afrofe. Duan të shmangin çdo garë që mund të hyjë një biznesmen tjetër, një i huaj, një shqiptar, që në momentin që bëhet një garë t'i japë një ofertë më të mirë, t'i japë një plan më të mirë dhe të ketë garanci që ky pastaj do t'i kthehet shtetit shqiptar.

Që ky koncesion do të merret, do të ndërtohet një port nga një privat për 35 vjet apo për 25 vjet, sa do të jetë koncesioni, dhe më pas kjo do të jetë një pasuri publike e shtetit shqiptar. Këta duan tani që mos të ketë garë, mos të ketë konkurrencë, mos të ketë procedurë, të jepet afrofe atyre që do të paracaktohen, siç paracaktohen sot që janë miqtë edhe klientët e pushtetit, t'i dhurohet porti në shkelje të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, në shkelje të marrëveshjes së Stabilizim Asocimit, dhe ky port të jetë porti privat i atij resorti që e gëzon siç gëzon edhe gjithë pjesët e tjera të resortit përjetësisht në në pronën e tij. Pra një pronë publike që kthehet në pronë private. Ky është ligji, është skandaloz. Deputetja që ja kishin varur në qafë sigurisht nuk dinte dhe nuk diti ta mbronte.

Ju në qoftë se do të keni durimin, ishte një mbledhje e gjatë në fakt, nja gjashtë orë, po në qoftë se dikush do të ketë durimin të ndjeki komisionin e turizmit që unë drejtoj, do të dëgjojë perla, do të dëgjojë gjëra të padëgjueshme, se si argumentet ishin për shembull që ne do të heqim rregullat. Pra si si mund të vijë një deputet dhe të mbrojë që është gjë e mirë të heqësh rregullat në një republikë, këtë pastaj nuk e kupton dot logjika, apo argumente të tjera të cilat nuk qëndronin as në qiell as në tokë. Kjo është një porosi e qartë. Ja u dha një deputeti sepse nëse do të ishte si propozim i Këshillit të Ministrave, do të kishte detyrimin për të kaluar në konsultim publik dhe asnjë faktor, grup interesi nuk do ta quante si ligj të pranueshëm dhe më vjen mirë që Bashkimi Europian ka pasur një reagim të shpejtë. 

Është e vërtetë, jo vetëm po shtohen, por tani është bllokuar procesi i integrimit, edhe bllokimi që ata i bënë imunitetit të Belinda Ballukut ishte ajo pika që derdhi vazën dhe për të cilën sigurisht ata nuk mund të toleronin dhe e kishin shfaqur dhe e kishin thënë paraprakisht publikisht. Në rastin e projektligjeve, unë ju them me keqardhje që Kuvendi i Shqipërisë është kthyer në një rrobaqepësi. Kostumesh me porosi për oligarkë, miq të caktuar. Kostumet, dhuratat në këtë rast janë ligjet me porosi dhe ka qenë pikërisht raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit, i pari që ka folur për këtë dhe e ka quajtur korrupsion legjislativ. Këta bëjnë korrupsion dhe me ligjet, këta shesin, dhurojnë Shqipërinë me ligje me porosi, të cilat kalojnë në 99% të tyre, tani deri tani kanë kaluar të gjitha, edhe me një procedurë të përshpejtuar pa e thënë të tillë.

Pra ky ligji që flas unë i porteve ka kaluar, është futur ditën e martë dhe është miratuar ditën e enjte. Ditën e martë janë bërë tre komisione. Vetëm komisioni im zgjati pesë orë sepse drejtohen nga opozita, ndërsa e kanë kaluar në komisionin e burimeve natyrore për 20 minuta edhe në komisionin e ekonomisë për diku tek një orë. Një aset strategjik me një diskutim kaq të madh që duhet të ishte ditor edhe me grupet e interesit, edhe me bashkësinë ndërkombëtare. Sigurisht ka pasur reagim nga Bashkimi Europian, ne i kemi informuar, kemi çuar letra për të thënë të gjitha kapitujt ku shkelet marrëveshja e Stabilizim Asocimit. Janë 18 ligje të tilla, ligje të cilat janë me porosi dhe ligje që shkelin marrëveshjen e Stabilizim Asocimit, shkelin Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, por mbi të gjitha, cënojnë interesin publik të qytetarëve shqiptarë.