Platformat e mashtrimit, për një vit, përfituan 30 milionë euro. Njerëz publikë u përdorën për dërgimin e mesazheve promovuese
Nga Elton Qyno – Syri.net/
Grupi i mashtruesve me bursat on-line përmes rrjeteve të Call-Centerave rezulton të kenë përdorur 3 platforma të ndryshme si “AlphaScrypto”, “CapitalMarket24” dhe “GoldCapital24”, përmes të cilave kanë mashtruar elektronikisht dhjetëra e qindra qytetarë të Bashkimit Evropian, duke i marrë kursimet e tyre ekonomike.
Sipas dosjes hetimore, të dëmtuarit zakonisht hyjnë në këto platforma mashtruese përmes një reklame të rreme të një personazhi të famshëm, i cili u dërgonte një mesazh të rremë subjekteve të përzgjedhura, duke i ftuar qytetarët të investonin kursimet e tyre financiare në bursat on-line.
Për të zbuluar këtë grup, policisë nuk i është dashur të zbulojë IP e tyre të kompjuterëve që përdornin, por edhe ti ndjekë ata në teren dhe vende të ndryshme publike.
Personazhi në mesazh evidentonte se të njëjtën gjë kishte bërë ai dhe fitimet e tij financiare ishin rritur në mënyrë progresive.
Gazetari Elton Qyno ka mësuar se mashtrimet në këto 3 platforma kanë ndodhur gjatë 1 periudhe që shtrihet nga 15 qershori 2023 deri në 30 korrikun e vitit 2024.
Gjatë veprimeve hetimore, Eduart Dalla, Mateo Hoxha, Tedi Agastra, Ledio Toçi, Xhoel Mekolli, Marsel Lami, Xhoni Hitaj si dhe persona të tjerë të përfshirë në këtë skemë kriminale, ka rezultuar se përmes sjelljeve mashtruese kanë nxitur qytetarët dhe dëmtuar ata, duke paraqitur rrethana të rreme se paratë e transferuara do të investoheshin vërtet.
Gazetari Elton Qyno ka mësuar se nëpërmjet mashtrimit autorët kanë përfituar në mënyrë të padrejtë vetë ose për llogari të personave të tjerë, pasi të dëmtuarit për shkak të mashtrimeve dhe prezantimit të të dhënave të rreme kanë transferuar shuma të konsiderueshme parash të cilat në total mendohet se mund të jetë më shumë se 30 milion euro.
Investimet e supozuara nuk janë realizuar dhe kalimi i fondeve është drejtuar në rrjetin e ndërlikuar të pastrimit të parave.
Sipas dosjes hetimore, të dëmtuarit zakonisht hyjnë në këto platforma mashtruese përmes një reklame të rreme të një personazhi të famshëm.
Nga ana e telefonuesve "këshilltarë financiar", nëpërmjet programit any desk kane kryer komandim nga distanca në kompjuterët e të dëmtuarve. Pjesa më e madhe e adresave IP të autorëve janë të maskuara duke përdorur VPN ose Proxy, por në informacionin e dërguar partnerët kishin arritur të identifikonin disa IP Shqiptare të cilat i kanë vënë në dispozicion.
IP e këtyre persona janë zbuluar tek subjektet tregtare si “Sonet” e Eduard Dallas, “Isanet” e Oltion Dokut, i cili ka ndërruar jetë, Xhoel Mekollit nga Vranishti i Devollit që dyshohet se ushtronte aktivitetin e tij kriminal nga apartamenti i Vjehrrit të tij qe ndodhet në rrugën “Kodra e Diellit”.
Por Xhoel Mekolli, këtë aktivitet kriminal e ka kryer dhe nga kompania “Gama Network” dhe “Espiron Studio”.
Granit Pepnika nga Kukësi, Fisnik Nezaj nga Tirana, Jurgen Mela nga Tirana dhe ortakja e këtij të fundit, Megi Mela nga Fieri, janë vendosur në verifikim nga policia, pasi ka dyshime të arsyeshme se këta persona janë të përfshirë në mashtrimin financiar të qytetarëve të Bashkimit Evropian.
Gazetari Elton Qyno, ka mësuar se në emër të Granit Pepnikas dhe Jurgen Mela, është themeluar në 13 korrik 2021 kompania “Gama Media Communication”, ku objekti i veprimit të saj shërbime marketingu dhe komunikimi elektronik.
Të dy aksionerët zotëronin secili nga 50 për qind të aksioneve, ndërsa administrator i kësaj kompanie ishte pikërisht Kuksiani, Granit Pepnika.
Por pas 8 muaj e gjysmë aktivitet, kjo kompani në 30 Mars 2022 ka pezulluar statusin e saj, duke mos funksionuar ende dhe sot.
Por pavarësisht se Granit Pepnika, humbi gjurmët nga “Gama Media Communication”, dyshohet se ai është ngjitur tek kompania tjetër “Upstream creative” që është regjistruar në emër të Xhoni Hitaj, person ky që tashmë është shpallur në kërkim.
Në emër të Xhoni Hitaj rezulton të jetë hapur në 18 shtator 2023 dhe kompania “Magnolia Group”.
Por sipas dosjes hetimore shoqëria “Upstream creative”, rezulton të jetë hapur në 28 Tetor 2022, vetëm 6 muaj pasi Granit Pepnika dhe Jurgen Mela pezulluan aktivitetin tjetër që kryenin me kompaninë “Gama Media Communication”.
Disa nga punonjësit e “Call-Centerit” të “Upstream creative” që u shoqëruan në ambientet e policisë, gjatë marjes në pyetje pranuan se bosi i kësaj zyre ishte pikërisht Granit Pepnika. Sipas punonjësve, Kuksiani, Granit Pepnika, kishte dhe një zyrë në ambjentet e këtij biznesi.
Pikërisht në zyrën e Pepnikas, policia sekuestroi një Lap-Top dhe sende të tjera me vlerë. Zyra e kësaj qëndre Call-Centeri është vendosur pikërisht në qëndër të Tiranës, tek rruga e “Kavajës” brenda godinës “Millenium Bussiness Centër”.
E vendosur në qendër të Tiranë dhe përmes lidhjeve të forta me Policinë e Shtetit, kjo qendër ka funksionuar qetësisht pa u prekur nga askush, deri në momentin kur në Shqipëri mbërritën skuadrat operacionale Austriake, të cilat bashkëpunuan me policinë e Tiranës.
Ndërkohë në verifikim nga policia është dhe ortaku i Granit Pepnikës, shtetasi Jurgen Mela. Ndërkohë ky i fundit së bashku me bashkëshorten e tij, Megi Mela, në 12 prill të vitit 2024 vendosin të futen në botën e bisnesit.
Ata themelojnë kompaninë “JM Delevopment” me adrese në një rezidencë luksoze, që ndodhet pas godinës së SPAK tek rruga “Jordan Misja”. Objekti i kësaj kompanie është: “...Ndërtim, mirëmbajtje, marketing software, Marketing, turizëm dentar dhe çdo aktivitet që lejon ligji...”.