Vijon transporti Fier-Tiranë, operatorët paralajmërojnë masa nëse nuk arrihet marrëveshje

Lëvizja e furgonëve dhe autobusëve nga Fieri drejt Tiranës vijon normalisht në terminalin e qytetit, pa ndryshime në orare apo në numrin e mjeteve në qarkullim.

Sipas drejtuesve të mjeteve dhe administratorit të shoqërisë “Kompakt”, Ilir Lulaj, që operon në këtë linjë, çmimi i biletës mbetet i pandryshuar në 500 lekë të reja.

“Çmimi i biletës nuk ka ndryshuar. Vijon të jetë 500 lekë të reja dhe oraret e autobusëve janë të njëjta si gjithmonë”, u shpreh Lulaj.

Ai bëri të ditur se janë zhvilluar negociata mes sindikatës dhe përfaqësuesve të shoqërive të transportit në Tiranë, ndërsa ky regjim çmimesh dhe shërbimi pritet të vijojë deri në fund të muajit prill.

Megjithatë, operatorët paralajmërojnë se nëse nuk arrihet një marrëveshje konkrete mes palëve, në fillim të muajit maj mund të ndërmerren masa nga ana e tyre.

Sipas Lulajt, kostot e operimit janë rritur ndjeshëm gjatë muajve të fundit. Ai theksoi se shpenzimet mujore për një autobus janë shtuar me rreth 750 mijë lekë të vjetra, duke e bërë gjithnjë e më të vështirë përballimin e shërbimit me tarifat aktuale.

Operatorët kërkojnë rishikim të kushteve ekonomike dhe mbështetje për të përballuar rritjen e kostove, ndërsa paralajmërojnë se pa një zgjidhje të shpejtë, situata mund të çojë në ndërprerje të shërbimit në javët e ardhshme.