Duka: Kombëtarja bashkon shqiptarët kudo, futbolli ka ndryshuar imazhin e Shqipërisë

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ishte i ftuar në panelin “Diaspora shqiptare dhe fuqia e sportit”, në kuadër të Samitit të Diasporës Shqiptare që u zhvillua në Tiranë në datat 13-15 prill 2026.

Në këtë panel morën pjesë edhe dy ish-kapitenët e Kombëtares shqiptare, Altin Lala dhe Lorik Cana, të cilët diskutuan mbi rolin e diasporës shqiptare në zhvillimin e sportit dhe futbollit.

Gjatë fjalës së tij, presidenti i FSHF-së theksoi rëndësinë e investimeve dhe të marrëdhënieve me shqiptarët që jetojnë jashtë vendit, duke nënvizuar se diaspora është një potencial i madh për zhvillimin e futbollit shqiptar.

Duka theksoi se rezultatet e ekipit Kombëtar kanë ndikuar ndjeshëm në rritjen e interesit dhe në forcimin e lidhjes me shqiptarët kudo në botë.

Ai përmendi si momente të rëndësishme kualifikimet e Shqipërisë në Europianin 2016 dhe Europianin 2024, që kanë ndikuar pozitivisht edhe në promovimin e imazhit të vendit.

“Rezultatet e ekipit Kombëtar shqiptar, sidomos me kualifikimin në Euro 2016 dhe Euro 2024, qoftë edhe kualifikimin në play-off tani, i ka shërbyer në përgjithësi çështjes Kombëtare shqiptare.

Ne mbase kemi pasur nevojë që ta tregojmë veten se kush jemi dhe Kombëtarja na e ka dhënë këtë mundësi. Ajo se çfarë ne duhet të investojmë që të krijojmë kushte sa më të mira kësaj Kombëtare, por edhe futbollit në Shqipëri për të shkuar më lart.

Padyshim që gjërat në Shqipëri kanë ndryshuar shumë në shumë drejtime. Ne jemi një vend që kemi kaluar një periudhë tranzicioni. Kemi pasur problematika, apo halle të mëdha dhe sot jemi goxha të zhvilluar dhe mund të mendojmë akoma më shumë për të rritur kualitetin e jetës. Dhe si mund të përmirësohet kualiteti i jetës, një nga mënyrat është sporti, është futbolli. Të paktën në vizionin tim dhe qëllimi jonë i futbollit nuk është thjeshtë për të bërë rezultat, por për të pasur sa më shumë njerëz që edukohen nëpërmjet sportit. Por që të kesh sa më shumë njerëz duhet të kesh rezultat, prandaj thashë që është një lloj rrethi.

Besoj se si Federatë Futbolli kemi bërë goxha për të realizuar këtë objektiv. Kemi bërë goxha për të pasur një marrëdhënie shumë të mirë me shqiptarët që jetojnë jashtë Shqipërisë. Sepse ne kemi ekipin Kombëtar sot, dhe jo vetëm ekipin Kombëtar, por ekipet Kombëtare, që luajnë të rinj që mbase janë lindur jashtë Shqipërie.

Investimet në vend, investimet në marrëdhënie, investimet në rezultate janë më të duhurat dhe më të domosdoshme për të shkuar më përpara”, tha Duka.