'Lejet e ndërtimit janë dhënë pa kontroll'/ Muçollari: Zjarri në Tiranë pasojë e një modeli të dështuar urban
Anëtari i kryesisë së Partisë Demokratike, Grigels Muçollari, deklaroi se zjarri i rënë në pallatin në kryeqytet nuk është rastësi, por pasojë e një modeli të dështuar të zhvillimit urban.
I ftuar në KAFE SHQETO në Syri TV, ai theksoi se ndërtimet pa standard dhe mungesa e kontrollit kanë rritur rrezikun për jetën e qytetarëve, duke kritikuar edhe ndikimin e kryeministrit Edi Rama në zhvillimin e kryeqytetit.
Sipas Muçollarit, incidenti nuk është rastësi, por rezultat i drejtpërdrejtë i politikave të ndjekura prej më shumë se një dekade në sektorin e ndërtimit. Ai theksoi se lejet e ndërtimit janë dhënë pa standarde dhe pa kontroll, ndërsa ndikimi i drejtpërdrejtë i kryeministrit Edi Rama, sipas tij, ka diktuar zhvillimin urban në Tiranë.
Ai kritikoi atë që e quajti “kultura e fasadave”, një qasje që, sipas tij, favorizon pamjen e jashtme në dëm të sigurisë dhe cilësisë së ndërtimeve. Muçollari ngriti shqetësimin se shumë pallate të reja paraqesin rrezik për jetën e qytetarëve, duke e lidhur këtë situatë me betonizimin masiv dhe mungesën e kontrollit institucional.
Muçollari kërkoi hetim të plotë të ngjarjes, auditim të lejeve të ndërtimit dhe masa urgjente për garantimin e sigurisë, duke paralajmëruar për rrezik në rritje, sidomos me afrimin e verës.
Muçollari:
Ajo që ka ndodhur nuk është më një rastësi, bëhet fjalë për një pasojë direkte të një modeli të dështuar të një zhvillimi urban. Një përqasje të kahershme tashmë të këtyre që na qeverisin prej më shumë sesa një dekade, ku ndërtimi dhe lejet e ndërtimit janë dhënë pa standart, pa kontroll. Atëherë, do ta, do ta shikoja në dy dimensione. E para njëherë, nëse e kemi vënë re, shija, ose shija e kryeministrit ka diktuar çdo lloj leje në kryeqytet. Dhe jo vetëm kaq, por është përdorur si një model për zhvillim.
Domethënë kjo tregon dhe një tendencë apo një kulturë, kultura e fasadave, të cilat e quaj unë, që shpreh filozofinë e qeverisjes, që do të thotë vetëm sipërfaqe dhe aspak përmbajtje. Dhe raste të përsëritura tashmë, sidomos në sektorin e ndërtimit, ku vihen në rrezik shumë jetë qytetarësh dhe jo vetëm kaq, por vihet në rrezik siguria, siguria publike, gati-gati në të gjitha pallatet e reja, shprehin pikërisht këtë qasje të qeverisë. Ne kemi të bëjmë leje ndërtimi, betonizim masiv, pa standart, pa kontroll.
Dhe kjo lloj filozofie e cila është mbështetur edhe si pasojë e një modeli ekonomik të, do të thoja, do ta quaja, pasi as model nuk quhet, në modelin nëpërmjet pastrimit të parave. Që do të thotë që nuk kemi të bëjmë me një zhvillim mbi planifikimin urban dhe as mbi interesin publik, por pikërisht mbi shije dhe mbi një model të caktuar ku zoti Rama prej më shumë se një dekade ka vendosur të furnizojë ekonominë nëpërmjet parave të pista. E gjitha, e gjitha kjo lloj, qeverisje, e gjitha kjo lloj përqasje, ka reflektuar dhe në rastin ku për fat të keq, shumë prej, prej qytetarëve të Tiranës kanë humbur pasuritë e tyre, kanë humbur shtëpitë e tyre.
Nëse vini re deklaratën e kryeministrit dhe nëse vini re përqasjen edhe të Policisë së Shtetit, ka një përqasje për ta mbyllur këtë diskutim dhe jo për ta hapur si, si, domethënë si një diskutim publik, që çfarë duhet të ndryshojmë ne. Kjo lloj përqasje tregon që po të njëjtit njerëz të cilët drejtojnë institucionet nuk e kanë fare ndërmend që t’i japin zgjidhje situatës në thelbin e problemit. Por mjaftohen me, arrestime të menaxherit, apo rojës së pallatit apo administratorit. Që do të thotë që nuk ka një qasje për t’i dhënë zgjidhje problemit.
Dhe për sa kohë s’do ketë një qasje për t’i dhënë zgjidhje problemit, mendoj që, situata do të rëndohet edhe më lehtë, sepse me sa di unë janë dhënë miliona metra katrorë vetëm në vitin e fundit. Kështu që duhet, duhet të jemi të kujdesshëm dhe qytetarët duhet të reagojnë, pasi realisht, realisht është siguria e lidhur drejtpërdrejt. Dhe kjo jo me tashmë, me ndotjen, me 100 probleme të cilat pasqyrojnë mbase apo me sigurinë ushqimore, e cila pasqyrohet në shëndetin e qytetarëve, të themi në një periudhë afatmesme ose afatgjatë, po lidhet me drejtpërdrejt jetën, të cilët, siç e vumë re, domethënë, u cënua siguria e jetës së qytetarëve të Tiranës.
Frika ime më e madhe është që mbase, mbase është dhe i pariparueshëm. Kështu që sa më shpejt do të ishte e domosdoshme një reagim sa më i shpejtë, qoftë i qytetarëve, por qoftë edhe i të gjithë faktorëve të cilët përbëjnë opinionin publik, që do të thotë shoqëri civile, opozitë, të gjithë, të gjithë, të gjithë faktorët duhet të reagojnë. Unë kam vënë re, për fat të keq, një qasje madje edhe nga televizonet por edhe nga portalet, për mos, për censurimin e lajmit dhe pas ditës, domethënë përveçse ditës kur ishte live, të themi të nesërmen kam vënë re një qasje që nuk më ka pëlqyer. Që do të thotë që ne vazhdojmë i hedhim hi syve qytetarëve dhe opinionit publik, ndërkohë që nuk po mendojmë për zgjidhjet. Dhe zgjidhjet janë të thjeshta.
Zgjidhjet bëhet fjalë për një hetim të plotë të ngjarjes, bëhet fjalë për një verifikim të, të themi, ose inventarizim të të gjitha pallateve të cilat janë ndërtuar me këto lloj fasadash, me këto lloj teknologjie. Bëhet fjalë për një ndërhyrje të menjëhershme, në mënyrë që qytetarët, sidomos po na pret vera, vjen një verë e nxehtë parashikohet. Kështu që, nëse, nëse institucionet nuk do të reagojnë menjëherë, kam përshtypjen që do të vendoset në rrezik jeta e më shumë qytetarëve. Ka nevojë për një auditim të të gjitha lejeve dhe, sigurisht edhe respektimi i tyre, duhet të audituar nga ndërtuesit. Në mënyrë që të gjenden përgjegjësit dhe në mënyrë që të vendoset një pikë fillimi për rindërtimin e një qyteti që i shërben interesit publik. Kështu që të gjitha këto fakte, besoj, besoj se duhet të jenë në qendër të opinionit publik, në qendër të diskut publike.