1 Prillët e Edi Ramës dhe protesta e datës 17
Dhe nuk është vetëm një, 1 Prill, por janë shumë 1 prillë që Edi Rama i ka kaluar duke qenë në qeverisje. Të gjithë e dimë formulën e 1 prillit. Njerëzit më duket e shpikën, sidomos ata që nuk rrinë dot pa komentuar, që të shfryjnë në gënjeshtra dhe mashtrime. Deri sa u kthye në rit. Edhe ata që kishin ndonjë festë apo sebep me këtë datë mundoheshin ta shtynin e ta tejkalonin një Prillin.
Por Edi Ramës me qeverisjen e tij tashmë nuk i bëjnë më përshtypje as 1 prillët e as datat e tjera të muajit apo vitit se i ka bërë të gjitha njësoj. Njëlloj gënjen me 11 maj, njëlloj mashtron me 1 shtator, 28 nëntor, njëlloj mashtron me 25 dhjetor, krejt njëlloj me 14 shkurt. Ndërkohë që mund ta them me bindje se me datën 1 prill ai gënjen më pak nga 365 ditët e vitit.
Pra kthimi në normalitet i gënjeshtrës dhe mashtrimit është përveçse shkatërrim i besimit qytetar, një premisë e rëndë që njerëzit të humbasin ndjeshmërinë ndaj moralit dhe ndaj mënyrës së të sjellurit të një politikani. Pra të humbasin besimin tek çfarëdo projekti politik, dhe këtë po mundohet të imponojë Edi Rama. Këtë model, që të duken të gjithë njësoj. Hë se edhe ata gënjejnë, vjedhin, bëjnë korrupsion, nuk e integrojnë Shqipërinë, nuk ulin çmimet, nuk bëjnë shëndetësinë falas. Dhe këto i thotë hapur me qetësi sikur, ata, kundërshtarët e tij politikë të ishin pjesë e qeverisë e ai në opozitë. Pra sërish fajin e ka Saliu.
Një prilli i Ramës për integrimin. A jemi të gjithë dëshmitarë që procesi është hapur dhe është mbyllur disa herë. Pra i bie që ata që kanë lindur këto vitet e fundit të jenë të regjistruar në gjendjen civile me logon, Unioni Evropian - Lindur në Vlorë, Shqipëri.
Po duket se kjo ditë në vend që të afrohet ka hipur në Anijen Kozmike, “Artemis” e po rrotullohet rreth e qark hënës e nuk do të ulet ndonjëherë në tokë më Rilindjen siç u kthye “Artemis”. Më e rënda është se Rama e di shkakun pse Shqipërisë nuk i hapet dera e “Unionit” por ndjehet ne siklet kur flet per “Meritat” e veta dhe ato të rilindësve të tij hajdutë.
Prandaj dil e protesto. Mos prit ta bëjnë të tjerët për ty. Bëje vetë.
Një prilli tjetër për shëndetësinë falas. Unë e mbaj mend shumë mirë. Kur çirrej sloganesh e pankartash, ekranesh e mediesh të kontrolluara për shëndetësinë falas. Aq shumë thoshte dhe e përsëriste sa pensionistët hallexhinj të shqyenin sytë, duke të thënë se do shëroheshin nga shëndetësia e Ramës. Do u zgjatej jeta. Po sot, me thoni dot si është shëndetësia. Një katrahurë pazaresh. Ku të kapim ndonjë viktimë e ta nisin nëpër klinikat private që ta rruajnë e të qethim. Se jeta është e shtrenjtë.
Prandaj dil e protesto, që të jetosh pa mashtrime.
Një prilli tjetër për ujin. Edhe për ujin na përmbyti me propagandë. 24 orë në ditë do kemi që në mandatin e parë. Është mandati i 4 e akoma 4 orë ujë në ditë nuk ka siguruar. Nga një orë për mandat. Ne mandatin e tij të 24 do të kemi ujë 24 orë. Që i bie pas rreth 90 vjetësh. Mashtrime e mashtrime e mashtrime. E çudia më e madhe është se ka nga ata që e besojnë akoma këtë njeri dhe bandën e tij.
Prandaj dil e protesto. Që ujin të mos e blesh më, por të të vijë vërtet në çezmë, jo në 3D, por në realitet.
Një prilli tjetër për investimet strategjikë i Liderit Global. Asnjë investim nuk mund ti vë gishtin e të them ky ose kjo i shërben shqiptarëve për gjeneratat që vijnë. Kush mund të jetë. Rrugët e shkatërruara, tunelet e çara apo parqet energjetike që po mbijnë si kërpudhat pa plan e duke u vjedhur pronën shqiptarëve. Asnjë. Asgjë që shqiptarët ta mbajnë mend. Dhe mos harroni Rama është në mandatin e 4 qeverisës. Investitorë strategjikë janë bërë ata që i shërbejnë Ramës, me media, kulturë ect. Pra jo shqiptarët e ndershëm, hajdutët po.
Prandaj dil e protesto, të paktën protesta jote të mbahet mend.
Ky një prilli tjetër është për drejtësinë e pavarur ka shumë veçanti. Shpresa vdes e fundit thoshin filozofët e fetarët që ti bindnin njerëzit që të besonin në diçka që ishte sipas tyre e rëndësishme. Edhe shqiptarët e besuan drejtësinë e pavarur si simbol i ardhur nga përtej detit, përtej maleve. Po nuk ndodhi ashtu. Drejtësia u kthye në një çekan i pushtetit ndaj qytetarëve, ndaj opozitës, ndaj fjalës së lirë. Të heqin nga puna me një fletushkë drejtuesit e institucioneve e drejtësia të nëpërkëmb si të jesh i tepërt në hapësirë. Drejtësia gjobëvënësve me keq se pazari i shëndetësisë falas. Nuk merr drejtësi në këtë shtetin njëprilljan të Edi Ramës. Drejtësi marrin veç hajdutët e tij që vjedhin paratë e shqiptarëve e me to paguajnë pazarxhinjtë me veshje të zeza e shpirt katran.
Prandaj dil e protesto, që një ditë të mundet që fëmijë yt të përfitojë nga drejtësia për të cilën ti po proteston. Ai do të ta dijë për nder.
Një prilli tjetër për mbrojtjen e konsumatorit është krejt simpatik. Malli shitet e blihet ne natyrë. Pa kontroll e pa asnjë lloj analize. Ndërkohë që radhët nëpër spitale shtohen. Dhe s’ka si të ndodhë ndryshe pasi hanë fileton e prishur e perimet plot pesticide. Shteti rri e vështron. Gajaset me njerëzit.
Prandaj dil e protesto për shëndetin tënd. Është gjëja me mirë që do bësh. Gjëja me normale.
Një prilli tjetër për paranë e “pastër” shqiptare që ndërton kulla e që reklamohet bindshëm e pa “asnjë” mashtrim nga Rama. Pse shqetësoheni o njerëz. Ata paratë e tyre po investojnë. Janë lodhur rrugëve të botës duke shitur drogë e tani u duhet një vend paqeje e stabiliteti për paranë e tyre të fëlliqtë. Dilni tani e blini një shtëpi me 3000 euro metrin katror. Janë cilësore. Mos kurseni blijini.
Shikoni euron nga 140 lekë ka shkuar në 95 lekë. Kush fiton këtu. Shteti i Ramës pra fiton. Dhe klientët e tij se desh harrova. Fitojnë edhe pensionistët që dikur për 100 eurot që ua nisin fëmijët nga emigracioni, merrnin 14 mijë lekë. Sot marrin 9500 lekë. Pjesën tjetër e marrin bonus për vitin e ri nga Rama. Qeveri qesharake.
Prandaj dil e protesto shqiptar, që të mos presësh me sytë lart çfarë bie nga qielli por të kesh një qeveri që të punojë për ty e jo për xhepin e zyrtarëve. Qeveri që të të bëjë dinjitoz.
1 prilli tjetër, për të cilin Rama dhe qeveria kanë punuar shumë këto vite, është “mbushja” e Shqipërisë me njerëz. Aq shumë ka njerëz në Shqipëri sa nuk po ka vend as në fshatra e as ne qytete. E kanë shpopulluar këtë vend në mënyrën më të tmerrshme të mundshme. As turku, as serbi nuk kanë mundur ta bëjnë më arme e terror sa çka bërë Rama me humbjen e shpresës dhe me keqqeverisjen.
Prandaj dil e protesto, këtu në Shqipëri që vitin tjetër mos të gjendesh diku nëpër botë duke ndjekur në televizion se si vijnë të huajt e zënë truallin tënd, qetësisht, sorosisht. Qeveri antishqiptare.
Nuk mund të mos kishim edhe një prillin për fermerët. I ka masakruar me gënjeshtra. Kanë përfituar prej qeverisë vetëm ata që nuk janë fermerë apo bujtinas realë. Produktet në rrugë e kanale. Shteti liberalizon tregun me vendet e huaja. Ky është shkatërrim total i bujqësisë dhe blegtorisë në vend. Qeveri hajdute.
Prandaj dil e protesto. Merr një arkë domate e qëllo mbi zaret e qeverisë. Bëj të dëgjohet zëri yt.
Ndërsa për një prillët e vazhdueshëm për çmimet nuk kam asnjë koment. Pret sa të nisë ndonjë konflikt në ndonjë vend të caktuar në Afrikë, Azi apo Amerikën Latine. Edhe debate me qenë. Direkt, Rama fërkon duart dhe hop çmimet në stratosferë. E jo vetëm çmimet e naftës por të gjithçkaje. I duhen para për të investuar aty ku i vjedh deri ne 100 për qind të vlerës.
Prandaj dil e protesto. Ose nëse të pëlqejnë çmimet rri në shtëpi se do protestoj unë për ty. Rri e vidhu i qetë. 5 mijë lekë një kg domate.
Po një prilli tjetër për sigurinë??!!. Bandat bëjnë ligjin. Caktojnë deputetë në Kuvend. Kartelet bëjnë ligjin, hyjnë e dalin në zyrat e qeverisë dhe caktojnë sipas interesit strategjik të tyre edhe vendimmarrjen në kuvend.
Prandaj dil e protesto që zëri yt të jetë më i fortë se ai i një trafikanti apo krimineli.
Nuk rri dot pa përmendur edhe një prillin për turizmin “elitar” që ka pushtuar Shqipërinë. Një dështim i komanduar. Nuk i intereson fare kjo punë. Është imazh. I interesojnë biletat e atyre që mbërrijnë në Rinas. Turistë me konserva në çanta. Mirë se të vijnë. Numërojnë në kufi edhe ata që shkojnë për qefin e tyre nëpër botë e sapo kthesh në shtëpi quhesh turist.
Prandaj dil e protesto që mos të të vjedhin të ardhmen me mashtrime e propagandë boshe.
Një prilli tjetër për zgjedhje te lira. Ishte premtim i kamotshëm që u thye si gota e qelqit ne tokë nga rilindja. Tani zgjedhjet i bëjnë patronazhistet dhe administrata nën presion.
Prandaj dil e protesto, që të mos jetosh si babai, nëna apo gjyshërit e tu, nën spiunim e kërcënim.
Një prilli tjetër, e tjetër e tjetër... Shinat e trenit askund, mashtrim i madh. Aeroportet askund, mashtrim i madh.
Prandaj dil e protesto me 17 prill, që të mos vijosh të mashtrohesh.
Për vjedhjet, korrupsionin, kapjen e mediave, sulmet ndaj opozitës sajimin e çështjeve gjyqësore që t'i mbajë në pranga nuk ka një prill. Këto nuk janë një prilljane. Janë të vërteta. Prandaj dil e protesto!
17 prilli mundet ta ndryshojë këtë sistem antivlerë dhe hajdut. Si njeri i lirë, unë do i bashkohem protestës.