Klubi anglez do Jose Mourinhon për sezonin e ardhshëm
Jose Mourinho mund të jetë shumë pranë një rikthimi të bujshëm në Premier League, pasi Newcastle United po shqyrton seriozisht mundësinë e një ndryshimi në pankinë.
Sipas raportimeve nga “talkSPORT”, trajneri portugez shihet si një nga kandidatët kryesorë për të zëvendësuar Eddie Howe, nëse drejtuesit e klubit vendosin të ndërpresin bashkëpunimin gjatë verës.
Edhe pse Howe vazhdon të ketë mbështetjen e bordit, rezultatet e fundit kanë rritur presionin nga tifozët dhe kanë hapur diskutime për të ardhmen.
Pronarët arabë të klubit thuhet se janë të tunduar nga ideja për të emëruar një trajner me përvojë dhe emër të madh, për të udhëhequr fazën e ardhshme të projektit ambicioz të klubit.
Në të njëjtën kohë, ekziston edhe mundësia që vetë Howe të largohet, nëse mendon se ka arritur limitin me skuadrën aktuale.
Vera pritet të jetë e trazuar për Newcastle. Lojtarë si Sandro Tonali dhe Tino Livramento janë përfolur për largime, ndërsa Anthony Gordon po ndiqet nga klube të mëdha si Bayern Munich dhe Arsenal.
Në një skenar ku klubi do të duhet të shesë për të investuar, një figurë si Mourinho shihet si ideale për të menaxhuar një tranzicion të vështirë.
Aktualisht në krye të Benficës, ai nuk e ka fshehur kurrë dëshirën për t’u rikthyer në futbollin anglez.
Një kalim te Newcastle do të ishte një kapitull i ri i rëndësishëm në karrierën e tij të pasur, megjithëse skeptikët vënë në dyshim nëse ai është ende zgjedhja e duhur për ritmin dhe kërkesat e Premier League në këtë fazë.