Mbappé hyn në histori të Champions-it, vendos rekord të ri me gola në transfertë

Sulmuesi francez,  Kylian Mbappé, ka shkruar histori në UEFA Champions League, duke u bërë lojtari i parë që shënon 10 gola jashtë fushe në një sezon të vetëm të kompeticionit.

‘Ylli’ i Real Madridit arriti këtë rekord në ndeshjen e kthimit çerekfinale ndaj Bayern Munich, duke realizuar edhe një gol vendimtar që vazhdoi serinë e tij të jashtëzakonshme në transfertë gjatë gjithë sezonit.

Në rrugëtimin e tij historik, Mbappé ka shënuar 4 gola ndaj Olympiacos-it, 3 ndaj Kairat Almaty-t, 2 ndaj Benfica-s dhe 1 ndaj Bayernit të Mynihut.

Ky gol i fundit ka një peshë të veçantë, pasi e çon Mbappé-n në kuotën e 70 golave në Champions League, duke e forcuar edhe më shumë statusin e tij mes golashënuesve më të mëdhenj në historinë e kompeticionit.

Në një mbrëmje të madhe europiane, francezi vazhdon të thyejë rekorde dhe të konfirmojë statusin e tij si një nga lojtarët më vendimtarë të futbollit modern.