Mbyllet pjesa e parë Arsenal-Sporting, barazim pa gola në Londër
Ndryshe nga spektakli në Mynih, në Londër dominojnë ekuilibri dhe taktika, ku sfida mes Arsenalit dhe Sportingut është mbyllur 0-0 pas 45 minutave të para.
Në ‘Emirates Stadium’, “Topçinjtë” e nisën më mirë ndeshjen, duke ushtruar presion të lartë dhe duke mos i lënë shumë hapësira skuadrës portugeze për të ndërtuar lojën.
Rasti i parë i rrezikshëm erdhi në minutën e 19-të, kur Noni Madueke fitoi topin dhe shërbeu për Viktor Gyökeres, por sulmuesi suedez gaboi nga një pozicion i favorshëm. Një tjetër mundësi e mirë për të erdhi pak minuta më vonë, por tentativa e tij u ndal nga mbrojtja kundërshtare.
Kur dukej se pjesa e parë do të mbyllej pa emocione, Sporting iu afrua shumë golit. Në fundin e fraksionit, Geny Catamo goditi shtyllën me një gjuajtje të fortë, pasi u shërbye nga Matheus Reis Araújo, duke ngrirë për një moment tifozët vendas.
Ashtu si në ndeshjen e parë, edhe këtë herë 45 minutat e para përfundojnë pa gola, me Sportingun që ka arsye të mërzitet për mundësinë e humbur, ndërsa gjithçka mbetet e hapur për pjesën e dytë.