Reuters: Hakerat rusë marrin llogaritë e zyrtarëve në Ukrainë, NATO dhe Ballkan

Hakerë të lidhur me Rusinë kanë depërtuar në më shumë se 170 llogari emaili të prokurorëve dhe hetuesve në Ukrainë gjatë muajve të fundit, sipas të dhënave të analizuara nga Reuters.

Kjo fushatë tregon se si shërbimet sekrete të Moskës po monitorojnë zyrtarët ukrainas të ngarkuar me hetimin e korrupsionit dhe bashkëpunëtorëve të Rusisë.

Të dhënat u ekspozuan aksidentalisht në internet nga vetë hakerët dhe u zbuluan nga Ctrl-Alt-Intel, një kolektiv studiuesish të sigurisë kibernetike nga Britania dhe SHBA. Sipas tyre, materialet e lëna në server, përfshirë regjistra të sulmeve të suksesshme dhe mijëra email-e të vjedhura, tregojnë se janë komprometuar të paktën 284 llogari emaili në periudhën shtator 2024 – mars 2026. Shumica e viktimave ndodhen në Ukrainë, ndërsa të tjerat në vende fqinje të NATO-s dhe në Ballkan.

Operacioni u përshkrua fillimisht muajin e kaluar në një raport të Ctrl-Alt-Intel. Reuters ka shqyrtuar të dhënat bazë dhe po publikon për herë të parë detaje mbi sulmet, përfshirë identitetet e më shumë se një duzine institucionesh dhe zyrtarësh evropianë të komprometuar.

Sipas Ctrl-Alt-Intel, ky gabim u ka dhënë studiuesve një mundësi të rrallë për të analizuar mënyrën e funksionimit të një fushate spiunazhi rus. “Hakerët thjesht bënë një gabim të madh operacional. E lanë derën hapur,” tha grupi.

Ambasada ruse në Ëashington nuk iu përgjigj kërkesës për koment. Ndërsa Moska ka mohuar vazhdimisht përfshirjen në operacione të hakerimit kundër vendeve të tjera.

Ctrl-Alt-Intel ia atribuon fushatën një grupi të njohur si “Fancy Bear”, i lidhur me një njësi të njohur të spiunazhit kibernetik rus. Dy studiues të pavarur, Matthieu Faou nga ESET dhe Feike Hacquebord nga Trend Micro, ranë dakord se aktiviteti lidhet me Moskën, por shprehën rezerva për përfshirjen konkrete të “Fancy Bear”.

Sipas studiuesve, hakerët ka të ngjarë të kenë synuar organet e zbatimit të ligjit në Ukrainë për të qëndruar një hap përpara hetimeve që ekspozojnë spiunët rusë ose për të mbledhur materiale komprometuese mbi zyrtarë të lartë në Kiev.

Të dhënat tregojnë se janë sulmuar institucione si Prokuroria e Posaçme për Mbrojtjen, Agjencia e Menaxhimit të Pasurive (ARMA) dhe Qendra e Trajnimit të Prokurorëve në Kiev. Ndër viktimat përmendet edhe ish-kryetarja e ARMA-s, Yaroslava Maksymenko, si dhe zyrtarë të tjerë të lartë të institucioneve të drejtësisë.

Gjithashtu, hakerët dyshohet se kanë vjedhur të dhëna nga një zyrtar i lartë i Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit (SAPO), e cila ka hetuar disa nga skandalet më të mëdha të korrupsionit në Ukrainë.

Sulme edhe ndaj vendeve të NATO-s dhe Ballkanit

Të dhënat tregojnë se aktiviteti nuk është kufizuar në Ukrainë. Në Rumani, hakerët kanë komprometuar të paktën 67 llogari emaili të Forcave Ajrore Rumune, përfshirë disa që i përkasin bazave ajrore të NATO-s dhe të paktën një oficeri të lartë ushtarak. Ministria e Mbrojtjes e Rumanisë nuk ka reaguar ndaj kërkesave të Reuters për koment.

Po ashtu, të dhënat tregojnë se spiunët kanë komprometuar 27 llogari emaili të administruara nga Shtabi i Përgjithshëm i Mbrojtjes Kombëtare greke, organi më i lartë ushtarak i Greqisë. Mes të hakeruarve janë atashetë grekë të mbrojtjes në Indi dhe Bosnje, si dhe inbox-i publik i Qendrës së Përbashkët të Forcave të Armatosura për Shëndetin Mendor. Shtabi i Përgjithshëm nuk iu përgjigj një liste të detajuar pyetjesh.

Në Bullgari, hakerët kanë depërtuar në të paktën katër inbox-e që i përkasin zyrtarëve lokalë në provincën Plovdiv, ku ndërhyrje ruse dyshohet se ka çaktivizuar shërbimet e navigimit satelitor para vizitës së presidentes së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, vitin e kaluar. Autoritetet bullgare nuk kanë reaguar ndaj kërkesave për koment.

Të dhënat tregojnë gjithashtu se spiunët kanë hakuar akademikë dhe zyrtarë ushtarakë në Serbi, një aleat tradicional i Rusisë. Ministria e Mbrojtjes e Serbisë nuk ka dhënë përgjigje ndaj kërkesave për koment. / Reuters/