Asllani drejt Barcelonës? Menaxheri konfirmon kontaktet me klubin katalanas
Sulmuesi kosovar, Fisnik Asllani, mund të jetë një nga emrat e merkatos së verës, pasi interesi nga klube të mëdha evropiane për të po rritet ndjeshëm.
Lojtari i Hoffenheimit ka shkëlqyer këtë sezon me 10 gola në 30 ndeshje, duke tërhequr vëmendjen e gjigantëve të futbollit. Së fundmi, agjenti i tij ka zbuluar se Barcelona është një nga klubet më të interesuara për transferimin e tij.
“Interesi i Barcelonës është konkret dhe ka pasur tashmë kontakte mes palëve”, deklaroi përfaqësuesi i lojtarit, duke shtuar se klubi katalanas është një nga ëndrrat e sulmuesit të ri.
Barcelona pritet të bëjë ndryshime në repartin ofensiv gjatë verës, ku largimi i mundshëm i Robert Lewandowski-t mund të hapë rrugë për afrime të reja, dhe Asllani shihet si një opsion i së ardhmes.
Megjithatë, gara për shërbimet e tij është e fortë. Edhe Bayerni i Mynohit dhe Borussia Dortmund po ndjekin me interes zhvillimin e tij.
Për ta siguruar kartonin e tij, klubet e interesuara duhet të paguajnë klauzolën e lirimit prej rreth 30 milionë eurosh. Për Hoffenheim-in do të ishte një fitim i madh financiar, pasi lojtari u mor falas nga akademia e Union Berlinit.
Vetë Asllani ka pranuar se karriera e tij ka marrë një kthesë të jashtëzakonshme në një kohë të shkurtër. “Është e pabesueshme sa shpejt ndryshojnë gjërat. Para një viti e gjysmë luaja te Elversberg dhe vlera ime ishte vetëm 800 mijë euro, ndërsa tani ka arritur në 30 milionë”, është shprehur ai.
E ardhmja e tij mbetet për t’u parë, por një transferim te Barcelona do të ishte një hap i madh në karrierën e talentit kosovar.