Desailly, kritik ndaj Leaos: Ky është maksimumi që mund të presim prej tij

Ish-mbrojtësi legjendar i Milanit, Marcel Desailly, ka bërë një analizë të fortë për paraqitjet e sulmuesit portugez, Rafael Leão, duke vënë në dyshim aftësinë e tij për të qenë lider i qëndrueshëm gjatë gjithë sezonit.

Në një intervistë për “The Italian Football Podcast”, Desailly theksoi se Leao është një lojtar i talentuar dhe i paparashikueshëm, por që vuan nga mungesa e vazhdimësisë. “Nuk mund ta kritikosh, sepse në momentin që e bën, ai është në gjendje të bëjë diçka magjike dhe të të detyrojë të heshtësh. Por e dimë 100% që nuk ka qëndrueshmërinë e nevojshme”, u shpreh ai.

Sipas francezit, lojtari i Milanit nuk ka profilin e një lideri që mund të mbajë peshën e ekipit gjatë gjithë sezonit, ndryshe nga figura si Lionel Messi apo Neymar. Ai shtoi se Leao mund të jetë vendimtar vetëm në momente të caktuara, por jo në mënyrë konstante.

Desailly shkoi edhe më tej, duke sugjeruar se portugezi mund të ketë arritur tashmë kulmin e tij. “Duket sikur ky është maksimumi i tij. Nuk jam i sigurt nëse ai është mendërisht gati të kuptojë se ku duhet të përmirësohet, sidomos në aspektin fizik”, deklaroi ai.

Një tjetër kritikë lidhej me angazhimin e Leaos në fazën mbrojtëse. Sipas Desailly, ai shpesh nuk rikthehet pas përfundimit të aksionit, çka krijon probleme në balancën e skuadrës. “Kjo tregon se nuk ka energjinë për të rikuperuar pozicionin”, shtoi ish-mbrojtësi.

Megjithatë, Desailly pranoi se Leao ka potencial për të arritur nivele shumë të larta, madje edhe për të synuar Topin e Artë, por kjo varet nga përkushtimi i tij për t’u përmirësuar, si në aspektin fizik ashtu edhe atë mendor.

Në përfundim, ai ngriti një pyetje të drejtpërdrejtë: “A e dëshiron vërtet këtë? Për momentin, ky është maksimumi që mund të presim prej tij”.